Nuk arritën rezultatin elektoral, PS Gjirokastër ‘bën kurban’ 25 kryetarë organizatash

Rezultati i dobët zgjedhor në 25 qershor, do të largojë nga drejtimi i organizatave socialiste 1480 kryetarë.

Raporti konfidencial i Partisë Socialiste, që i bën analizë punës së strukturave dhe rezultatit të zgjedhjeve, del në përfundimin se 1480 organizata socialiste kanë marrë rezultat më të ulët në zgjedhje, krahasuar me 2013, ndërsa 2328 organizata kanë pasur rezultat më të lartë se katër vjet më parë.

Sipas statutit të PS, nëse rezultati në zgjedhje është më i ulët se ai i zgjedhjeve të kaluara, kreu socialist përjashtohet nga kandidimi. Sa i përket Gjirokastrës, pritet të dorëhiqen 25 kryetarë organizatash, të cilët nuk e arritën dot objektivin elektoral. Në total Gjirokastra ka 72 organizata socialiste, të cilat janë strukturat kryesore të funksionimit të PS-së në bazë.

“Organizimi elektoral u parapri nga përcaktimi i objektivave dhe projektimi i numrit të votave potenciale të PS për çdo OS; objektiv, i cili u arrit nga 6 qarqe: Berat, Durrës, Gjirokastër, Kukës, Lezhë e Vlorë. Partia Socialiste pësoi rënie nga rezultati i arritur në 2013 në 1480 organizata. Rënia totale në këto organizata ishte afërsisht 42 mijë vota, ndërsa në 2328 organizata morëm një rezultat më të mirë se në 2013, duke sjellë në total 100 mijë vota më shumë për PS në 2017. Nga 3828 OS të analizuara në të gjithë vendin, vetëm 1657 ose 43.3% prej tyre, arritën objektivin elektoral të PS”,thuhet në raportin e përgatitur nga grupi i punës për analizën e zgjedhjeve. Pjesë e grupit të punës për hartimin e këtij raporti ka qenë edhe deputeti i Gjirokastrës, Flamur Golemi.

/ArgjiroLajm.net/