Operacion masiv antikanabis, Gjirokastra dhe Memaliaj kalojnë në “sitën” e policisë
Një operacion masiv kundër kultivimit të bimëve narkotike ka nisur qysh në orët e para të mëngjesit të sotëm, në zonat të cilat cilësohen si problematike.
Policia e Shtetit ka angazhuar në këtë operacion anti- kanabis mbi 300 forca policore të angazhuara në disa qarqe.
Operacion masiv është shtrirë në Shkodër, Vlorë, Gjirokastër dhe më konkretisht në zonat e Dukagjinit, lumit të Vlorës, Kurveleshit dhe Memaliaj.
Ky aksion vjen vetëm një ditë pas konferencës së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili paralajmëroi ashpërsim të ndëshkimit ligjor për kultivuesit dhe trafikuesit e lëndëve narkotike.
Tahiri bëri me dije se forcat speciale të Policisë së Shtetit, ato kufitare dhe mjetet e policisë, do jenë 24 orë në gatishmëri për monitorimin e rrugëve të trafikimit, kundër atyre që financojnë trafikimin e lëndëve narkotike qoftë në rrugë tokësore apo detare.
Ai tha se për të tretin vit radhazi po shkatërrohen mbi 99% të parcelave të identifikuara, duke thënë se është i nevojshëm intensifikimi i aksionit.