Pallati që rrezikon shembjen, kallëzohen në penalisht dy vartës të Zamira Ramit
Dy zyrtarë të Bashkisë Gjirokastër janë kallëzuar penalisht në Prokurori për ‘shpërdorim detyre’. Ndaj tyre rëndon akuza se nuk kanë mbikëqyrur punimet në objektin pranë pallatit që rrezikon shembjen në lagjen ‘Punëtore’.
Zyrtarët e paditur janë Vullnet Tola, përgjegjës i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) dhe Aleksandër Pesha inxhinier në zyrën e bashkisë. Akuza që rëndon ndaj zyrtarëve të bashkisë është ajo e mosmbikëqyrjes së punimeve të objektit dy katësh disa metra poshtë pallatit, që u bë shkak për rrëshqitjen e dherave.
15 familjet që jetojnë në këtë pallat janë sistemuar te të afërmit e tyre dhe në hotele, ndërsa zona ku ka rrëshqitje dheu është rrethuar si pikë rreziku. Familjet e këtij pallati rrezikojnë të mbeten të pastrehë, ndërkohë që mbeten në pritje të raportit të Institutit të Gjeologjisë se çfarë do të bëhet me tokën që rrëshqet vazhdimisht.