Papa Françesku refuzon makinën e blinduar për vizitën e tij në Tiranë

papa-francesco-1-620x480Vizita e Papa Françeskut në Tiranë më 21 shtator do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie. Vizita e tij kulmon me meshën që do të mbahet në orën 11:00 në sheshin “Nënë Tereza”. Në kuadër të masave të sigurisë, Garda e Shqipërisë ka njoftuar paraprakisht se hyrja e të gjithë të ftuarve duhet të bëhet deri në orën 09:00 të mëngjesit dhe më pas, nuk do të ketë mundësi të futet askush, pasi nuk lejohet nga Garda.

Sipas njoftimit të dhënë nga Konferenca e Ipeshkvnore e Shqipërisë, vendi i hyrjes do të jetë në rrugicën mes Universitetit të Arteve dhe Korpusit Qëndror të Universtitetit Politeknik.

Ndërkohë, Kisha Katolike Shqiptare, për të garantuar një vizitë të sigurtë të Papa Françeskut në Tiranë, ka kërkuar nga Vatikani një makinë të blinduar. Por kjo kërkesë nuk është pranuar nga Selia e Shenjtë./Dita