Pas mobilimit të zyrës, Prefekti i Gjirokastrës pret makinën e re. Dhuratë nga Edi Rama
Ndonëse për paga apo dëmshpërblime kundrejt qytetarëve qeveria në shumë raste lë për të dëshiruar, kur vjen puna për shpenzime luksi është tepër dorëlëshuar. Kështu, përmes një VKM-je Këshilli i Ministrave ka vendosur që tu bëjë dhuratë 12 prefektëve nga një makinë. Paratë për këtë ‘dhuratë’ do të përdoren nga fondet rezervë për t’i çuar tek Ministria e Brendshme, që kjo e fundit t’i përdorë për të blerë makina për 12 prefektët e rinj të qarqeve.
Janë rreth 390 milionë lekë do të vilen nga fondi shtesë i buxhetit të shtetit, që të blihen 12 makina për zyrtarët e rinj që vetë kryeministri i prezantoi pak kohë më parë. VKM-ja është bërë publike në faqen e kryeministrisë dhe është vendimi i parë që Rama ka firmosur këtë të mërkurë. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, automjetet që do të blihen nuk do të jenë aspak të lira, por do të kushtojë secila rreth 33 milion lekë. Nga përfituesit është natyrisht edhe prefekti i Gjirokastrës, Astrit Aliaj, i cili në nisje të detyrës firmosi gjithashtu për një tender për ‘mobilim zyrash’, me vlerë rreth 10 milionë lekë të vjetra me Tvsh. Tender i cili ishte parashikuar të zhvillohej më parë, në kohën e Flamur Bimes, por ishte bllokuar pas vendimit të qeverisë në korrik të vitit 2017.