Pastrimi i plehrave dhe gjuha shqipe, debate në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Dropullit
Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak të Dropullit është shoqëruar me debate. Këshilltarja e Partisë Socialiste Mirela Çabeli ka ngritur çështjen e pastrimit të mbetjeve urbane në fshatrat e Dropullit, duke kërkuar të bëhet transparenca e kontratës së firmës që kryen pastrimin.
Por kjo është refuzuar nga kreu i këshillit, Spiro Diamanti, ndërsa kryebashkiaku Arhilea Deçka është larguar nga mbledhja. Më pas pjesë e debatit është bërë bashkëshortja e ish-ministrit Spiro Ksera, e cila është anëtare e këtij këshilli si përfaqësuese e PD-së.
Ajo i ka kërkuar këshilltares socialiste të mos flasë në gjuhën shqipe gjatë mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, me argumentin se Bashkia Dropull është bashki e minoritetit, a thua se gjuha shqipe nuk është zyrtare edhe në minoritet.
Ky debat nuk është pasqyruar në kronikën e përgatitur nga televizioni Alpo, media lokale e kontrolluar prej LSI-së në Gjirokastër. Madje bëhej kujdes të theksohej se “mbledhja e këshillit është zhvilluar pa probleme”. Gjatë kësaj jave Libohova Online raportoi për situatën problematike në fshatrat e Dropullit, ku mbetjet urbane nuk ishin pastruar prej kohësh.
/Libohova Online/