Pazari i gurtë i Gjirokastrës, aty ku turistët preferojnë traditën

pazari-i-gurteKushdo që viziton Gjirokastrën e gurtë këtë verë dëshiron që në largim të marrë si kujtim një suvenir me motive nga ky qytet. Tashmë, punimi i suvenireve nga gurgdhendësit gjirokastritë krahas pasionit vetjak është kthyer edhe në pjesë të zhvillimit të turizmit në këtë zonë. Realizimi i suvenireve të ndryshme, me motive nga historia e popullit tonë apo simbolet kombëtare, duket se janë gjetje e këtij sezoni turistik për artizanët në qytetin e Gjirokastrës.

Të gdhendësh Skënderbeun dhe shqiponjat

Gjatë ditëve të fundit, në fasadat e gurta të shitoreve të prodhimeve tradicionale në Gjirokastër të zë syri edhe simbole të ndryshme kombëtare, si shqiponja dykrenore apo përkrenarja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, të realizuara në gur të skalitur apo gdhendje druri. “Unë përpara disa javësh mendova të realizoja disa shqiponja në dru të gdhendur të cilat i vendosa në dyqanin tim të prodhimeve tradicionale në Pazarin e gurtë”,- thotë gurgdhendësi Anastas Petridhi. Këto punime, të realizuara me mjeshtëri nga artizani gjirokastit tërhoqën menjëherë vëmendjen e turistëve, kryesisht të huaj, të cilët i blenë për ti patur si kujtim nga udhëtimi i tyre në Gjirokastër. “Pasi konstatova këtë interes në rritje të turistëve realizova në dru të gdhendur edhe disa lloje të tjera suveniresh me shqiponjë madje edhe një komplet të përbashkët së bashku me shpatat dhe përkrenaren e Skënderbeut”,- thotë drugdhendësi Anastas Petridhi. Turistët jo vetëm të huaj, por edhe ata vendas i kanë pëlqyer mjaft këto lloj suveniresh. Madje drugdhendësi gjirokastrit ka realizuar edhe disa modele të tjerë, ku shqiponja e gdhendur në gur përdoret për gjëra të dobishme në jetën e përditshme si për vendosjen e fotografive, mbajtjen e çelësave etj.

Turistët vlerësojnë simbolet kombëtare

“Turistët që vizitojnë Pazarin e gurtë nuk rreshtin së kërkuari punime karakteristike në gur të skalitur”,- thotë Lubjana Baho, menaxhere e një dyqani suveniresh në Pazarin e gurtë të Gjirokastrës. Në mjediset e brendshme ky dyqan suveniresh ofron punime të ndryshme karakteristike të punuara në gur, me motive nga Gjirokastra. Në të vizitorët mund të gjejnë Pazarin e Gurtë të punuar në miniaturë, Sahatin e Kalasë, kështjellën e gurtë, banesa karakteristike gjirokastrite në miniaturë të punuara në materiale të ndryshme e dhjetëra punime të tjera. “Sapo bleva një tavëll cigaresh të realizuar në formën e kalasë së Gjirokastrës”,- thotë shoqëruesi i një grupi turistik. “Më duket mjaft tërheqëse mënyra e punimit dhe paraqitjes ndërkohë që çmimi nuk është i lartë”, vijon ai ndërsa i tregon disa turistëve suvenirin-kujtim nga Gjirokastra. “Turistët kërkojnë vazhdimisht punime karakteristike”,- thotë një gurgdhendës. “Unë jam lidhur me një dyqan në Pazarin e gurtë dhe aty çoj punimet e mia të cilat më pas i blejnë turistët si kujtim”. Një vizitë në qytetin e gurtë për turistët nuk do të kishte kuptim pa marrë një kujtim prej tij. “Çmimet që ofrojmë nuk janë shumë të larta çka bën që turistët të ndihen mirë kur blejnë diçka”, thotë menaxherja e njërit prej dyqaneve të suvenirëve në Pazarin e gurtë. Vetë zhvillimi i turizmit në këtë zonë do të ishte i mangët në qoftëse vizitorët nuk do të kishin mundësinë të blinin një punim karakteristik të realizuar jo vetëm në gur por edhe në dru, hekur, tekstil etj çka bën që edhe shitjet e tyre të jenë në nivele të kënaqshme.

 Edhe banorët i tërheq tradita

Një tjetër artizan gjirokastrit, gurgdhendësi Muhedin Makri ka nisur ti bëjë punimet tradicionale me simbolet kombëtare pjesë të punës së tij të përditshme. Krahas punimit të suvenireve të ndryshëm për turistët mbështetur mbi këto motive ai ka realizuar edhe punime artistike në familjet gjirokastrite. Banorë të ndryshëm në Gjirokastër kërkojnë të kenë në ambientet e shtëpive të tyre shqiponja të gdhendura në gur, thotë gurgdhendësi Muhedin Makri. “Përpara disa javësh një prej porositësve kërkonte të vendoste një shqiponje prej guri në qemerin e gdhendur të portës së shtëpisë”,- thotë Muhedini. Pasi kishte marrë porosinë, gurgdhendësi punoi për gati dy javë, për të realizuar relievin e shqiponjës së gurtë. “Ishte diçka e veçantë për mua të gdhendja një shqiponjë guri pasi nuk kisha patur asnjëherë një porosi të tillë”,- thotë ai. Plot vullnet dhe pasion, duke punuar mbi gur rreth 12 orë në ditë ai arriti të përfundojë shqiponjën ndërkohë që porositësi i saj ngeli mjaft i kënaqur./Koha Jone