PBDNJ kundër reformës territoriale: Shkel të drejtat themelore të minoritetit (Video)

 PBDNJ kundër reformës territoriale: Shkel të drejtat themelore të minoritetit (Video)

dule-300x260Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut shprehet kundër variantit të miratuar një ditë më parë me 61 njësi vendore për ndarjen e re territoriale.

Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule në një konferencë për mediat tha se nëse ky do të ishte variant final për ndarjen e re territoriale, atëherë ai është i papranueshëm dhe shkel të drejtat themelore. Ndërsa e cilësoi këtë variant si me qëllime të mbrapshta historike, Dule paralajmëroi se ai do të jetë i papranueshëm dhe i pavotueshëm.

Me ndarjen e re po tentohet të shkelen të drejta themelore dhe po trazohen me qëllime të mbrapshta historike, dhe të krijohen probleme aty ku nuk ka.  Nëse ky do të jetë produkti përfundimtar, do të jetë e pavotueshme dhe e papranueshme”, tha Dule.

Në vijim, Kreu i PBDNJ-së i drejtoi një apel Kryeministrit Edi Rama që të mos privojë këtë reformë nga standardet dhe fryma europiane.

“Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është shprehur pa ekuivokë në favor të Reformës Territoriale. Kjo reformë më shumë se çdo nismë tjetër ligjvënëse kërkon vizion në konceptim, garantim në rezultat. Themelore është respektimi i të drejtave të komuniteteve minoritare. Nga të dhënat e deri tanishme reforma orientohet në devijime substanciale dhe shkelje flagrante të këtyre të drejtave. Kësaj reforme i referohen edhe elemente të spikatura klienteliste dhe elektorale. Dëshirojmë ti drejtohemi edhe publikisht në vençanti kryeministrit Rama që të mos e privojë këtë reformë madhore dhe strategjike nga standardet dhe fryma evropiane. Një zhvillim i tillë do e bënte këtë reformë për PBDNJ jo vetëm të pa botueshme por edhe të pa pranueshme”, deklaroi Dule.

Më tej ai theksoi se PBDNJ është e shqetësuar për mosrespektimin e të drejtave të minoriteteve. Dule theksoi se Himara është rasti i spikatur ku me ndarjen e re tentohet të trazohen ekuilibrat historikë.

“PBDNJ është shqetësuar për mungesën e parimësisë në respektimin e të drejtave të pjesëtarëve të minoriteteve kombëtare. Këto të drejta duhet të respektohen siç e parashikon konventa për të drejtat e pjesëtarëve të komuniteteve minoritare. Himara është rasti më i spikatur ku tentohet me ndarjen e re të shkelen të drejta themelore të trazohen ekuilibra historik dhe të krijohen probleme aty ku nuk ka. Nëse ky do jetë produkti përfundimtar është i pavotueshme dhe i papranueshme”, u shpreh ai

Kreu i PBDNJ u shpreh se kjo parti po konsultohet edhe me faktorin ndërkombëtar dhe se  për çështjen  do ndjeki hapat ligjorë duke e çuar në Gjykatën Kushtetuese.

“Aktualisht PBDNJ është në konsultim me faktorin ndërkombëtar edhe për interpretimin këtyre dispozitave dhe për ti mbajtur në korent me çdo zhvillim që tregojnë që janë të disfavorshme për komunitetet minoritare. Duhet të mendojmë, të veprojmë dhe sillemi si evropianë. Nuk mjafton të kesh statusin për të qenë evropian. Të gjitha hapat janë ato që parashikon kuadri ligjor me më të parin drejtimin çështjes në Gjykatën Kushtetuese”, përfundoi Dule. 

Deklaratat e Kreut të PBDNJ-së, njëkohësisht edhe Nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, vijnë një ditë pasi Komisionit të Reformës Territoriale iu bashkua edhe PDIU, ndërsa kreu i kësaj partie Shpëtim Idrizi paraqiti opsionet e tij në lidhje me këtë reformë.

PDIU kishte propozuar një variant mes 60 dhe 70 njësish vendore, cka duket se është pranuar nga mazhoranca, e cila në mbledhjen e djeshme të Komisionit shtoi edhe 14 njësi vendore në variantin prej 47 njësish që ishte në diskutim. Po kështu u pranuan disa nga propozimet e PDIU në lidhje me njësitë e reja të krijuara në zonat jugore të vendit, variant që mesa duket ka shqetësuar PBDNJ-në.

Libohova Online