PD denoncon gjendjen në spitalin e Gjirokastrës: Kush s’paguan 500 lekë për LSI-në ikën nga puna

PD GjirokasterPartia Demokratike Dega Gjirokastër ka denoncuar gjendjen sipas saj të rëndë në spitalin rajonal “Omer Nishani”. Përmes një deklarate të gjatë renditen shumica e problematikës që ka ky institucion, duke filluar që nga mungesa e mjekëve specialistë, kushtet e këqija në farmacinë e spitalit, mungesa e rezervave të gjakut e deri te mosfunksionimi i sistemit të ngrohjes.

PD thotë se numri i infermierëve është më i lartë se i mjekëve, për shkak të punësimeve pa kriter që bën LSI-ja dhe deputeti Vangjel Tavo.

“Numri i infermierëve është shumë më i lartë se norma në raport me trupën e mjekëve, por numri i administratës mbështetëse është akoma edhe më i lartë se numri i personelit mjekësor mjekë+infermjerë. Kjo ndodh për shkak të punësimit pa kriter që bën LSI dhe Deputeti V. Tavo si shpërblim për mbështetjen elektorale. Sipas të dhënave nga ky spital, një rrogë infermieri ndahet për tre të tillë. Gjithë personeli infermjerë + administratë, mbahen nën presion të vazhdueshëm nga drejtuesit e spitalit; kush nuk paguan kuotën prej 500 lekë të rrinj për arkën e LSI-së largohet nga puna. Por edhe kush e paguan, por nuk kryhen detyrat ekstra që ju ngarkojnë shefat, përsëri largohet”- thuhet në deklaratën e PD-së.

Më tej denoncohet largimi nga puna pa asnjë motiv i shoferit të autoambulancës, Sherif Mezini, me një përvojë pune mbi 35 vjet. Në fund PD kërkon dorëheqjen e drejtorit aktual të këtij institucioni ose së paku shkarkimin e tij.