PD Libohovë nis opozitën me kryebashkiaken Luiza Mandi

fghfgPas humbjes së Bashkisë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit, Partia Demokratike në Libohovë ka nisur opozitën me kryebashkiaken e sapozgjedhur, Luiza Mandi. Të paktën kjo vihet re në rrjetin social Facebook, ku së fundmi drejtuesit e kësaj partie në Libohovë kanë denoncuar disa problematika. Sipas PD, inspektorët e Tatimeve po u bëjnë presion bizneseve të njerëzve të njohur si mbështetës të kësaj force politike, si dhe u vendosin gjoba marramendëse. Një tjetër denoncim lidhet me pastrimin e koshave të plehrave në Libohovë. PD shprehet e shqetësuar për këtë situatë. Sipas saj koshat kanë 10 ditë pa u pastruar.

Sigurisht që menaxhimi i mbetjeve urbane në Libohovë s’ka qenë i mirë dhe ka nevojë për ndërhyrje të shpejtë. Kryebashkiakja e re duhet t’i japë zgjidhje këtij problemi. Të bën përshtypje sjellja e PD-së Libohovë, e cila nuk ishte asgjëkundi para 21 qershorit. Libohova Online e ka denoncuar vazhdimisht problematikën e mbetjeve urbane në Libohovë, por asokohe PD-ja nuk bënte zë.

Tani që e humbi Bashkinë ngre alarmin për pastërtinë e Libohovës. Në fakt bën shumë mirë sepse kjo është detyra e një opozite, të denoncojë dhe njëkohësisht të prezantojë alternativën e saj ndryshe. Por gjithashtu duhet të japë llogari përse nuk dha zgjidhje kur e kishte mundësinë. Dhe PD-ja e qeverisi Libohovën për plot 8 vite, por nuk e la më të pastër se Libohova që drejton sot Luiza Mandi.

A ishte Libohova më e pastër përpara se Luiza Mandi të merrte drejtimin e Bashkisë? Sigurisht që jo. Mjafton të shihni arkivat e faqes Libohova Online, se sa shpesh e kemi denoncuar në të shkuarën keqmenaxhimin e mbetjeve urbane dhe e kuptoni që ky është një problem i vjetër. Por kjo nuk do të thotë që ky problem duhet të justifikohet. Kryebashkiakja e re duhet t’i japë zgjidhje të menjëhershme.

Kontratat e Bashkisë të lidhura me kompaninë e pastrimit, në kohën kur në pushtet ishte PD-ja, duhet të rishikohen nëse kompania në fjalë nuk e kryen punën si duhet. Libohovitët nuk kanë pse paguajnë një kompani nëse ajo nuk e kryen si duhet pastrimin e qytetit. Nga ana tjetër, PD-ja është e udhës të mos nxitojë t’i vëjë “lakun në fyt” kryebashkiaes së re që në ditët e para të punës së saj dhe aq më tepër duke e ditur që ka lënë një Libohovë të papastër.

Jo vetëm një Libohovë të papastër, por edhe zyrat e Bashkisë lënë për të dëshiruar. Duke nisur që nga salla e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak e deri te paradhoma që të con në zyrën e kryebashkiakut, të zë syri lagështi, suva të rëna, fasada të pista, karrige të vjetra, flamuj të ngulur dhunshëm më gozhdë nëpër mure e plot gjëra të tjera. Për të mos folur për ajrin e kondicionuar që për nëpunësit e Bashkisë Libohovë është ende luks. Cilësia e shërbimeve që mund të të ofrojë një institucion kuptohet edhe nga ambienti se ku punohet.

Megjithatë sërish i takon kryebashkiakes së re t’i ndryshojë fytyrë atij institucioni, sipas të gjitha standardeve të kohës.

Sa i përket gjobave që Partia Demokratike pretendon se i janë vënë bizneseve në Libohovë, ndoshta është e vërtetë, por duhet t’i publikojë me fakte, me emër e mbiemër se kush është gjobitur dhe pse është gjobitur. Nëse ka shkelje nga administrata tatimore, ta denoncojmë të gjithë së bashku. Libohova Online mirëpret cdo denoncim nga cilido qytetar që pretendon se është dhunuar në punën e tij.

Por nga ana tjetër në Libohovë ka edhe biznese që s’paguajnë taksa dhe madje që s’kanë licensë fare. Aq e vërtetë është kjo sa në kohën e fushatës mbështetës të PD-së e shisnin për sukses që kishin toleruar evazionn fiskal në Libohovë. Po kasat fiskale? A merr njeri kupton tatimor për ndonjë produkt apo shërbim që blen në Libohovë? Absolutisht jo. Kjo situatë duhet rregulluar. Evazioni fiskal duhet goditur, pavarësisht se kemi të bëjmë me biznese afër PD-së, PS-së, LSI-së etj.

Si përfundim, ngushëllues i këtyre reagimeve të PD-së Libohovë është fakti se dihet që kështu ndodh në Shqipëri. Kur janë në pushtet, partitë nuk mbajnë përgjegjësi për dështimet, ndërsa kur dalin në opozitë bëjnë si “virgjëra”, sikur nuk kanë qeverisur asnjëherë, sikur nuk kanë abuzuar me pushtetin. Së pari duhet mbajtur përgjegjësi, të paktën morale, për ato që nuk janë bërë, pastaj të dalësh me flamurin e opozitarit në publik. Vetëm të flasësh e të denoncosh duke mos dhënë llogari për të shkuarën tënde, nuk është alternativë. Dhe llogaria nuk jepet vetëm ditën e zgjedhjeve, sepse mund të thotë dikush që PD-ja ashtu si e qeverisi Libohovën, ashtu e mori përgjigjen. Por nëse iket me këtë logjikë, atëhere i bie që të presim zgjedhjet pas katër vitesh për t’i kërkuar llogari Luiza Mandit./Libohova Online

fghfgfdgfhfg