‘Pelegrinazh’ në vendlindje…

Nga Thanas Verdhi

Më erdhi natyrshëm në mënd ideja për ta quajtur pelegrinazh vizitën në vëndlindje, se, për mua Libohova është vënd i shënjtë dhe padyshim, dashuria ime e parë dhe e fundit. Asnjë vënd ku kam jetuar e punuar dhe as Tirana që kam mbi gjysmë shekulli që banoj, nuk më jep atë kënaqësi dhe magji që më jep Libohova.
Pas pak ditësh, nga mesi i javës që vjen, do nisem për në Jug, më saktë në vëndlindjen time. Kam disa vite që e vizitoj shpesh Libohovën dhe, sa më shumë plakem, aq më nostalgjik bëhem. Zakonisht rri në Gjirokastër, se aty kam një banesë dhe, në Libohovë shkoj e kthehem brënda ditës. Do desha të ishte e kundërta, pra, të kisha një shtëpi në Libohovë, por, nëse do ishte ashtu, nuk e di se sa dëshirë do kisha për ta vizituar shpesh Gjirokastrën.

Gjithsesi, për mua Libohova dhe Gjirokastra janë një “binom” i pandashëm që s’mund t’i imagjinoj pa njera tjetrën. Libohova të mrekullon me qetësinë dhe magjinë që ka brënda saj, kurse Gjirokastra të mahnit me madhështinë, kontrastet dhe “misteret” ku, askund në Botë s’mund të gjesh një qytet të ngjashëm me të.

Gjirokastra dhe Libohova janë dy qytete që plotësojnë njera tjetrën dhe, që “jetojnë” në një lloj “simbioze” bashkëjetese të padukshme dhe që qëndrojnë kaq hijerëndë në “këmbët” e dy maleve karshi, që i ndan në mes një luginë e bukur.
Prej vitesh mundohem të gjej enigmën se, çfarë më tërheq dhe mrekullon aq shumë kur mendoj dhe vizitoj vëndlindjen time, Libohovën. Megjithëqë më shkojnë në mënd lloj lloj idesh dhe, mallëngjehem me vëndin ku ishte shtëpia ime, me rrugicat që edhe gurët ia njoh, me lagjen dhe krejt qytetin tim, më duket se “magjia” qëndron më shumë tek fëmijëria dhe te kujtimet e asaj periudhe të pakthyeshme dhe të paharrueshme.