Penallti në fund të lojës, rrahin gjyqtarin në Tepelenë (foto)
Ka qenë minuta e 90 e ndeshjes mes Tepelenës dhe Naftëtarit, kur arbitri dha një penallti në favor të miqve, pas një ndërhyrjeje të gabuar në zonë.
Më pas e pret një sulm i ashpër nga të gjithë, lojtarët, stafi teknik dhe tifozë që hyjnë në fushë. Arbitri kryesor dhe ndihmësit e tij janë goditur në ndeshjen kryesore të javës së 4- t të Kategorisë së Dytë në Grupin B, Tepelena-Naftëtari.
Dhuna
Vendësit pretendonë për një penallti në minutën e 52-të kur rezultati ishte 1-1, por arbitri Sheka nuk mendon kështu. Në të 80-ën, kur Tepelena udhëhiqte 2-1, gjyqtari akordon 11-metërsh për Naftëtarin.
Në këtë moment nis një sulm i egër ndaj tij nga lojtarët në fushë dhe pjesëtarë të stafit në pankinë që e godasin gjyqtarin me shkelma dhe grushte. Madje, në fushë hyjnë edhe tifozë që u afrohen arbitrave për t’i sulmuar. Në pak sekonda krijohet kaos dhe forcat e rendit dynden në fushë duke rrethuar gjyqtarët dhe i mbrojtur.
Por, vrulli i vendësve është i vështirë të ndalet dhe duhen pak minuta. Pasi qetësohet situata, gjyqtarët e takimit së bashku me delegatin dhe vëzhguesin mblidhen në një cep të fushës të rrethuar nga forcat e shumta policore dhe, pas rreth tetë minutash, vendosin që takimi të rinisë. Topi vendoset te pika e bardhë dhe Koroveshi shënon dhe barazon rezultatin.
Fundi
Arbitri nuk e ka vazhduar lojën pas goditjes së penalltisë më shumë se tre minuta. Edhe pas përfundimit të lojës, tensioni te tifozëria vendase ka qenë shumë i madh dhe protestat e tyre kanë vazhduar. Skuadrës së Naftëtarit i është dashur rreth një orë për të dalë nga qyteti i Tepelenës i shoqëruar nga forcat e rendit.