Për Mesila Dodën, Avni Rustemi është një kriminel

1475962_10152555011387198_4994043358320665211_n

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan po diskutohej për ish-diktatorin Enver Hoxha, 70-Vjetorin e Çlirimit dhe çështjen nëse duhet ndarë Enveri si komandant i LANÇ nga Enveri diktatori komunist që izoloi Shqipërinë. Në debat e sipër, historiani Paskal Milo merr si shembull Halil Alinë, një dibran i rreshtuar në anën e Ballit Kombëtar dhe që sipas tij ka kryer krime të tmerrshme kundër partizanëve në Vlorë, ndërkohë që sot ka shtatore në vendlindje.

“Halil Alia ka vrarë, ka qenë kriminel”,- tha Milo. Menjëherë ka reaguar deputetja e PD-së, Mesila Doda duke thënë: “Po Avni Rustemi çfarë ka qenë?

Pra, sipas Mesila Dodës edhe Avni Rustemi është një kriminel apo atentator i rëndomtë. Qëndrimi i saj ka ngjallur reagim në panel. Milo dhe të ftuarit e tjerë iu kundërvënë deklaratës së Dodës.

Në fakt, nuk është hera e parë që Mesila, po nga studio e “Opinion”, lëshon deklarata të tilla të papranueshme. Në vitin 2013, në një debat me Saimir Tahirin e kërcënoi publikisht se nëse do guxonte të protestonte sërish para Kryeministrisë, do ta varte te palmat.

Avni Rustemi ka kryer një akt heroik ndaj Esat Pashës, i cili deri në grahmat e fundit të jetës, nuk rreshti së bëri pazare në kurriz të Shqipërisë. Nëse për Mesilën, Avni Rustemi është një kriminel, me patjetër që deputetja e PD-së duhet të ishte pak ditë më parë në Paris, ku  bashkë me ministrin serb Aleksandër Vulin, të nderonin të dy Esat Pashën. Ministri serb e kreu detyrën, tani të shkojë Mesila të nderojë Esatin, se Avni Rustemin e nderojnë gjithë shqiptarët, e nderon vetë historia.