Përfundon radha në Kakavijë, largohen edhe emigrantët e fundit që prisnin në radhë prej 4 ditësh

Makthi i 4 ditëve për mijëra emigrantë shqiptarë që mbetën të bllokuar në Kakavijë ka përfunduar. Në mesnatë ka kaluar kufirin grek edhe radha e fundit me automjete. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka, ka publikuar foto në faqen e saj në Facebook teksa shkruan:

“Live nga Kakavija, ku përfundoi procedura e kalimit për qytetarët e fundit. Mirënjohje të thellë për të gjitha strukturat e angazhuara në këto ditë të vështira. Mirënjohje për efektivët e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, mjekëve e infermierëve dhe drejtues e punonjës të pushtetit vendor, të cilët me këmbëngulje, durim e punë në grup ia dolën!”, thotë Xhacka.

Pas negociatave me palën greke u vendos që rregulli i ri për hyrjen e vetëm 750 personave të aplikohet duke nisur nga dita e hënë. Po kështu nga e hëna e tutje cdo person që kalon kufirin do t’i nënshtrohet karantinës së detyruar për 7 ditë.