Përmbytjet në Gjirokastër, prefekti Astrit Aliaj jep porositë në shtabin e emergjencave

Shirat e dendur dhe rreziku i përmbytjeve ka vënë në emergjencë prefektin e qarkut Gjirokastër që ka kërkuar marrjen urgjente të masave në të gjithë territorin e qarkut. Prefekti Astrit Aliaj në mbledhjen e sotme ka theksuar se në rastet emergjente primare është shpëtimi i jetëve njerëzore. Zonat më problematike paraqiten në rrethin e Tepelenës ku lagjja e poshtme e saj rrezikon përmbytje dhe evakuim të mbi 10 banesave në rast të daljes së lumit nga shtrati.

Prefekti Aliaj ka kërkuar edhe ndërprerjen e procesit mësimor në shkollat rurale për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore dhe vështirësisë së nxënësve për të shkuar në shkollë si pasojë e përmbytjes së këtyre rrugëve. Vetëm në ditën e parë të këtyre reshjeve që parashikohen të jenë të dendura ka patur rënie të numrit të nxënësve në shkollat rurale.

Shkollat e Zagorisë, Picarit dhe Golemit ditën e sotme nuk kanë zhvilluar mësim, pasi nxënësit e tyre nuk janë paraqitur, ndërkohë që rënie. ë numrit të nxënësve ka patur edhe në Dervician e Bularat. Ndër zonat më të rrezikuara nga përmbytjet në qarkun e Gjirokastrës renditet edhe pjesa verrilindore e Memaliaj, ndërsa rrezikojnë të përmbyten edhe fushat e Qesaratit, Krasit e Kalivaçit. Rrëshqitje dheu ka patur në zonën e Përmetit, në Çarçovë dhe Frashër. Shqetësues mbetet edhe aksi Jorgucat – Muzinë ku ka rrëshqitje të vazhdueshme dheu.