Plagosja te Ura e Lumit, dyshohet për borxhe në një prej llotove të Gjirokastrës

Ura e Lumit GjirokasterDy grupe të rinjsh janë përplasur me armë në lagjen “18- Shtatori” në Gjirokastër, ku një 39- vjeçar ka mbetur i plagosur. Si pasojë e këtyre të shtënave është plagosur në dorë Jani Aliaj, nga Tepelena dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Dyshimet e para për këtë përplasje mes të rinjve duket se janë bërë borxhet që këta të rinj i kanë patur njëri- tjetrit dhe një person i cili është ende i paidentifikuar nga ana e uniformave blu, ka qëlluar me armë zjarri nga një automjet në drejtim të 39- vjeçarit. Sipas një njoftimi zyrtar të policisë së Gjirokastrës, bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur pranë “Varrezave të Dëshmorëve” në afërsi të një karburanti, në lagjen “18 Shtatori” rreth orës 23:00 të ditës së Hënë.  

Ndërkohë bëhet me dije se automjeti në të cilin ndodheshin personat e dyshuar si autorë të këtij atentati të ketë bërë dy xhiro dhe më pas është larguar në drejtim të veriut. Dyshimet e para janë hedhur për borxhe të pa shlyera në një prej llotove të qytetit të Gjirokastrës, por ende nuk është konfirmuar një gjë e tillë.

Nga ana tjetër grupi hetimor pasi ka mbërritur në vendngjarje po punon për zbardhjen e kësaj ngjarje, e cila solli edhe plagosjen e 39- vjeçarit Aliaj. Sipas burime policore bëhet me dije se personi i cili ka mbetur i plagosur rezulton të jetë pa precedent të mëparshëm penal, një gjë e tillë shton dyshimet se ai mund të ketë qenë edhe një kalimtar rastësor. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të plota të saj.  

Policia e Gjirokastrës njoftoi zyrtarisht për ngjarjen, dhe pse dha fare pak të dhëna. “Në afërsi të “Urës së Lumit”, lagja “18-Shtatori”, Gjirokastër, pranë karburantit është plagosur me armë zjarri në dorë shtetasi me inicialet J. A. , 39 vjeç , banues në Tepelenë , i cili është jashtë rrezikut për jetën. Po punohet për evidentimin dhe kapjen e autorit”, njoftoi ditën e djeshme policia e Gjirokastrës.    

Një konflikt i ngjashëm me atë që ndodhi mbrëmjen e së hënës, ku mbeti i plagosur 39- vjeçari Aliaj, ka ndodhur pak kohë në parë në Gjirokastër, por pasojat ishin më të rënda. Pas një konflikti për shkak të një borxhi është vrarë një person dhe ka mbetur i plagosur rëndë një tjetër. Ngjarja ka ndodhur pasditen e 22 marsit të këtij viti në fshatin “Andon Poçi”, në aksin rrugor Gjirokastër- Tepelenë.

Dy vëllezërit Dorian dhe Bilbil Lluka, përkatësisht 29 dhe 31 vjeç, nga fshati Shtëpëz, janë qëlluar me armë zjarri nga një person tjetër dhe si pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme Dorian Lluka dhe ka mbetur i plagosur rëndë vëllai i tij Bilbil Lluka. Dyshimet e para të policisë ranë mbi shtetasin Enerik Lluka kushëri me vëllezërit që ranë pre e atentatit./Standard