Prag krize/ Shqipëria rrezikon të mbetet pa karburante

petrol-versus-diesel_0Shumë shpejt gjithë vendi mund të zhytet në një krizë të paprecedentë për karburantin e makinave.

Kompania GFI, e cila ka marrë me koncesion markimin e karburanteve, ka ndërprerë aktivitetin gjatë mëngjesit. Kësisoj botet me naftë nuk dalin dot nga porti.

Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave autoritetet doganore, para se të bëjnë arkëtimin e akcizës, kërkojnë që kompania importuese e karburanteve të paraqesë faturën e markimit të karburanteve, që jepet nga koncesionari GFI masë e cila prezumon të kontrollojë cilësinë e karburanteve dhe impaktin e tyre mbi veturat dhe mjedisin.

Kjo ka penguar daljen e autoboteve nga zona e lirë doganore në Porto Romano. Si rrjedhojë, autobotet kanë mbetur të pamarkuara në ambientet e Portit të Karburanteve në Porto Romano dhe në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, nuk dalin dot të pamarkuara.

Revista Monitor shkruan se tregu nuk është furnizuar sot në të gjithë Shqipërinë dhe operatorët pohojnë se në rast se vazhdon kjo situatë, problemet në furnizimin në treg mund të fillojnë të ndihen që gjatë pasdites së sotme.

Historia

Pak ditë më parë revista ekonomike “Monitor”, publikoi një shkrim shterues lidhur me problemet që i shkaktonin konsumatorit shqiptar koncesionet që jepeshin nga qeveritë, si ato demokrate po ashtu edhe kjo aktuale. Njëri prej tyre qe dhe koncesioni i dhënë për kompaninë GFI, në fund të mandatit të qeverisë Berisha. Sipas investigimit konsumatorët paguajnë 2 lekë për litër ose rreth 15 milionë euro në vit që shkojnë të ardhura për koncesionet e skanimit dhe markimit të karburanteve.

Por asnjë shërbim nuk kthehet mprapsht sepse GFI Albania, nuk ka kryer asnjë investim dhe është në shkelje të plotë të marrëveshjes.

GFI Albania, nëpërmjet një kontrate 10-vjeçare duhej të ngjyroste naftën me qëllim eliminimin e abuzimit me cilësinë e destinacionit dhe në fund, shmangien e taksave.

Mirëpo Shoqata e Hidrokarbureve thotë se kompania nuk po plotëson asnjë nga këto detyrime, nuk ka bërë asnjë investim dhe për rrjedhojë, kontrata koncesionare është shkelur në të gjitha pikat.

Në një letër të posaçme për këtë çështje, Shoqata e Hidrokarbureve ka lajmëruar Ministrinë e Financave si palë kontraktore me koncesionarin, se po lejon GFI Albania të shkelë të gjitha të drejtat dhe të abuzojë në mënyrë të paligjshme mbi subjektet detyruese, pa asnjë lloj alternative kontrolli, ankimimi dhe as kërkese për zbatimin e investimeve që ai detyrohet me ligj.

E vënë përballë faktit të kryer me sa duket qeveria shqiptare ka vendosur të ndërhyjë. Por me sa duket një gjë të tillë po e bën në mënyrë të beftë dhe pa planifikim. Pikërisht kjo masë spontane ka bërë që grosistët e karburanteve të vënë alarmin duke pretenduar se botet e tyre janë të bllokuara në Porto Romano dhe se një gjë e tillë mund të ndjehet që sot apo nesër në tregun e pakicës, gjë që mund të sjellë mungesë benzene apo nafte në treg./Lapsi.al