Prapaskenat/ Si e refuzoi Rama emrin e Odise Kotes për Prefekt të Gjirokastrës

Kryeministri Edi Rama i surprizoi sot të gjithë kur doli nga selia e qeverisë për të prezantuar 12 prefektët e rinj të vendit. Ata janë të gjithë ushtarakë në rezervë, pa asnjë profil tjetër politik apo angazhim në Partinë Socialiste. Suprizë ishte natyrisht edhe emri i përzgjedhur nga Kryeministri në postin e Prefektit të Gjirokastrës. Astrit Aliaj, ushtaraku nga Burreli me karrierë të gjatë në Akademinë e Marinës, spostoi nga tryeza e Ramës emrin e Odise Kotes. Ky i fundit u përfol si pasuesi në Prefekturën e Gjirokastrës i atij që e ka pasur për shumë kohë epror apo ‘shef’, Flamur Bimes.

Nënkryetari i Bashkisë Gjirokastër shkoi në tryezën e Ramës si propozim i tre deputetëve të qarkut, Bledi Cuçi, Mirela Kumbaro dhe Flamur Golemi. Fillimisht pati një hezitim mes të treve për emrin e Kotes, por më pas ai shkoi te Kryeministri si propozim konsensual. Ishte pothuajse e sigurt që Odise Kote nga vartës i Flamur Bimes për një kohë të gjatë, tashmë do të dilte mbi të.

Priste vetëm të merrte firmën e Ramës. Dosja e tij me CV-në dhe dokumente të tjera të nevojshme ishte në tryezën e Kryeministrit prej gati dy muajsh. Por Rama e kishte ndarë me kohë mendjen se Prefektët e rinj të vendit do të duhej të kishin një staturë tjetër dhe t’i jepnin atij institucioni një rol ndryshe nga ai që ka pasur deri më sot.  Askush nuk parashikoi në fakt se ai do të zgjidhte ushtarakë në rëzervë. Ndonëse edhe Odise Kote ka kryer fillimisht studime ushtarake në Shkollën e Bashkuar në Tiranë, ai nuk ishte një ushtarak i mirëfilltë karriere si ata që përzgjodhi Rama.

Profili i Kotes si ish gazetar dhe njeri letrave, nuk iu duk i përshtatshëm Edi Ramës për të firmosur emrin e tij në krye të Prefekturës Gjirokastër. Natyrisht që Odise Kote e dinte se Rama e kishte refuzuar emrin e tij. Ai nuk priti ta mësonte këtë publikisht sot kur Kryeministri doli para kamerave nga selia e qeverisë me prefektët e rinj. Edhe tre deputetët e qarkut ishin në dijeni një ditë më parë që propozimi i tyre ishte refuzuar nga Kryeministri.

Për momentin s’ka asnjë reagim, nga tre deputetët për prefektin e ri, Astrit Aliaj.  Qoftë edhe një mesazh publik urimi në rrjetet sociale.  Dhe sigurisht mos prisni që ata ta marrin në mbrojtje nga sulmet e opozitës sepse fundja nuk është një emër i zgjedhur prej tyre. Astrit Aliaj është i pari nga 12 Prefektët e rinj që po sulmohet në opozita. I pari që e akuzoi si të implikuar në trafikun e drogës ishte deputeti Flamur Noka. Më pas erdhi sulmi tjetër nga ish-kryeministri Sali Berisha përmes ‘qytetarit dixhital’, i cili ka thënë se Astrit Aliaj është i lidhur me grupin e Habilajve.

Por përtej të gjitha këtyre, Prefekti i ri Gjirokastrës do të nisë detyrën në një terren të panjohur për të. Është në detyrë tek një qark me të cilin s’ka lidhje natyrale e as që nuk e njeh dhe sigurisht nuk pritet ta ketë simpatinë e shumicës që priste një Prefekt nga Gjirokastra, Tepelena apo Përmeti. Sidoqoftë, le të mos paragjykojmë performancën e tij ende pa nisur mirë. Ndoshta një Prefekt i ‘importuar’ nga jashtë Gjirokastre si Astrit Aliaj, largon ‘shamatën’ mes socialistëve se kujt i takonte kësaj radhe Prefektura; Gjirokastrës, Tepelenës apo Përmetit.

© ArgjiroLajm.net