Prefekti i ri i Gjirokastrës, në vitin 2010 Ministria e Mbrojtjes e akuzonte për shpërdorim të 9 mijë eurove. Ja si përfundoi çështja në Gjykatë

Astrit Aliaj do të jetë Prefekti i ri i qarkut Gjirokastër. Prezantimi i tij dhe i 11 prefektëve të tjerë është bërë sot nga kryeministri Edi Rama.

Sikundër kemi raportuar më herët, Aliaj është një njeri me karrierë ushtarake. Prej vitit 2003 deri në vitin 2009 ai ka shërbyer si Atashe Ushtarak i Republikës së Shqipërisë në Itali. Por në përfundim të kësaj detyre nis një përplasje mes tij dhe Ministrisë së Mbrojtjes, konflikt i cili përfundoi në dyert e Gjykatës.

Çfarë ka ndodhur konkretisht?

Ministria e Mbrojtjes konstatoi se Astrit Aliaj kishte abuzuar me fondet e buxhetit të shtetit gjatë kohës kur ushtronte funksionin e Atasheut Ushtarak të Shqipërisë në Itali. Ai kishte shpenzuar në shkelje të ligjit shumën prej 9 mijë e 175 euro. Për këtë, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, nxori një urdhër në dhjetor të vitit 2010, me anë të së cilit i kërkonte Aliajt të kthente pas shumën e shpërdoruar.

Ndërkohë Astrit Aliaj e çoi në gjyq këtë urdhër të Ministrit të Mbrojtjes. Ai e fitoi gjyqin me Ministrinë e Mbrojtjes edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, edhe nga Gjykata e Apelit.

Gjykatat kanë konstatuar se Atasheu Ushtarak i Shqipërisë në Itali, Astrit Aliaj, shumën prej 9 175 euro e ka shpenzuar në përputhje me ligjin, duke rrëzuar në këtë mënyrë urdhërin e Ministrit të Mbrojtjes. Më poshtë pjesë nga vendimi gjyqësor për këtë çështje.

© ArgjiroLajm.net