Presidenti Nishani uron Pashkët nga Derviciani, dekoron Ansamblin e Dropullit (FOTO)

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vizitoi sot fshatin Dervician të Bashkisë së Dropullit dhe kishën e “Fjetjes së Shën Mërisë”, ku u prit nga Kryetari i Bashkisë Arhilea Decka, nga drejtuesit vendorë dhe klerikë, ish-deputetë dhe ish-ministra si dhe nga banorë të shumtë.

Pasi vizitoi Kishën e vjetër të Dervicianit dhe u njoh me historinë e saj të hershme dhe rindërtimin pas periudhës së diktaturës, Kreu i Shtetit shqiptar uroi përzemërsisht festën e shenjtë të Pashkëve të krishtera duke theksuar se kjo ditë i shërben ringjalljes dhe ripërtëritjes së besimit në Zot, por edhe edhe tek forca e pashtershme njerëzore.

Më pas Presidenti Nishani zhvilloi një bashkëbisedim të hapur në sheshin kryesor të fshatit Dervician në prani të autoriteteve vendore, klerikëve dhe banorëve vendas, Gjatë përshëndetjes së tij, krahas urimit të përzemërt për festën e Pashkëve, Presidenti Nishani vlerësoi rolin dhe modelin pozitiv të minoritetit grek në Shqipëri, që shërben si urë lidhëse miqësie dhe bashkëpunimi mes dy popujve dhe vendeve fqinje. “Virtytet e ndershmërisë, integritetit, të seriozitetit i shërbejnë jo vetëm bashkëjetesës dhe harmonisë, por edhe ndërtimit të së ardhmes së përbashkët të vendit tonë.” – theksoi Presidenti Nishani.

Gjatë veprimtarisë u luajtën këngë dhe valle tradicionale dropullite, dhe vizita e Presidentit Nishani në Dervician u kurorëzua me dekorimin e Ansamblit të Dropullit me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.