Presidenti uron Sulltan Novruzin nga Teqeja e Ali Postivanit, dekoron Baba Hekuranin (FOTO)
Presidenti Republikës, Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani morën pjesë në kremtimet e festës tradicionale të Sulltan Novruzit në Teqenë e Baba Aliut, në Ali Postivan të Përmetit, duke uruar përzemërisht këtë ditë të shenjtë të besimtarëve bektashinj.
Me këtë rast Presidenti i Republikës dekoroi me Titullin “Naim Frashëri” klerikun dhe udhëheqësin e shquar shpirtëror të bektashinjve, Baba Hekuran Nikollari me motivacionin: “Për kontributin e rëndësishëm në ringritjen, ruajtjen dhe përhapjen e besimit bektashian. Me vullnetin e Zotit si dhe talentin e përkushtimin e tij u ka ofruar besimtarëve bektashianë paqen fetare, dorën e ngrohtë, karakterin atdhetar, dashurinë hyjnore si edhe shpresë e besim tek mendimi filozofik që përfaqëson”.
“Në këtë ditë të bukur, të lumtur e të shenjtë feste ju uroj nga zemra edhe njëherë përshumë vjet gëzuar Sulltan Novruzin, shëndet, paqe e mbarësi në familjet tuaja! Rrofshi përherë! Paçi mbarësi dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë, kombin shqiptar, Këlcyrën, Përmetin, gjithë Jugun e Shqipërisë dhe këto vende të mrekullueshme që Zoti na i fali e të dijmë të punojmë të gjithë e t’i gëzojmë!”, tha kreu i shtetit gjatë fjalës së tij përshëndetëse.