Problemi i integrimit të 40 fëmijëve autikë në qendrën ditore në Gjirokastër (VIDEO)
Entela Haska, nënë e një vajze autike 8 vjeç nga Gjirokastra, tregon se fëmija e saj po has vështirësi të panumërta në shkollë, kryesisht në procesin e të nxënit për shkak të mungesës së mësuesve ndihmës.
“Laura ka nevojë për ndihmë. Nuk arrin shokët të shkruajë e të lexojë. Kërkon shumë kohë të lexojë, pasi nuk i lidh dot fjalët në fjali. Do një mësuese ndihmëse, të jetë e specializuar për këta fëmijë. Nuk mund të them që mësuesja e Laurës nuk e ndihmon, ajo ulet por nuk arrin”, shprehet e ëma Entela Haska.
Albana Hasanaj, shefe e Kurrikulës pranë Drejtorisë Rajonale Arsimore tha se një komision i posaçëm është duke kryer vlerësimin e situatës në të gjitha shkollat, për të përcaktuar edhe numrin e mësuesve ndihmës. Këta mësues, sipas saj, po trajnohen në fushën e autizmit dhe të asistencës në klasë për këta fëmijë.
“Ne jemi në fazën e vlerësimit të këtyre fëmijëve dhe më pas numri i mësuesve ndihmës që do të jenë pranë shkollave do të jetë edhe më i madh. Kjo do të thotë një shërbim më shumë për ju, një lehtësim i punës suaj”, tha Albana Hasanaj, DAR Gjirokastër.
Për Lindita Luzon, drejtoreshën e qendrës, vështirësitë janë të shumta.
“Sigurisht që fusha e autizmit, sindromës doën apo çdo sindrome tjetër çrregullimi psikomotor të fëmijëve është një fushë e hapur që ka nevojë për specializime të vazhdueshme, për kualifikime të këtyre personave që punojnë drejtpërdrejt me këta fëmijë. Drejtoritë arsimore nëpër rrethe kanë marrë masa që të kenë një mësues mbështetës nëpër shkolla, por ajo nuk i mbulon të gjitha nevojat e këtyre fëmijëve”, tha Lindita Luzo, drejtoreshë e qendrës.
Rreth 40 fëmijë janë duke u trajtuar në Qendrën ditore të Trajtimit të Fëmijëve me Autizëm në Gjirokastër, kur një numër shumë më i madh nuk po trajtohet për shkak të mospranimit të sëmundjes prej familjeve.
Qendra filloi funksionimin rreth 3 vite e gjysmë më parë. Të paktën 11 specialistë janë duke kryer një terapi të përditshme intensive për fëmijë të moshave nga 3-8 vjeç./TCh