Projekti i “Bypass-it” në Gjirokastër, fijet që lidhin PD-LSI kundër Mirela Kumbaros
Debati mbi projektin e “Bypass-it” në Gjirokastër, që u duk se u fashit pas takimit që ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro zhvilloi me anëtarët e Forumit Gjirokastra dhe me banorët e lagjes që preken nga projekti, po riaktivizohet sërish çka të shtyn të mendosh se janë disa palë të interesuara për këtë çështje. Në vijim të shkrimit ArgjiroLajm.net bën një zbërthim të plotë të fijeve që lidhen bashkë, për ta instrumentalizuar më tej këtë debat. Palët e interesuara për të përfituar politikisht janë së pari PD-ja dhe më pas LSI-ja.
Nesër në orën 11:00, Forumi për Mbrotjen e Vlerave të Gjirokastrës organizon një takim te Hotel Çajupi, ku sipas ftesës së shpërndarë do të diskutohet mbi impaktin e projektit të “Bypass-it” në zonën historike. Ftesa mban firmën e kryetarit të këtij forumi, Prof. Agim Mero.
ArgjiroLajm.net, mëson nga burime të sigurta se Prof. Agim Mero nuk ka dërguar e as firmosur një ftesë të tillë dhe se nuk do të marrë pjesë në takimin e të enjtes në Gjirokastër, pasi e cilëson si të ezauruar këtë çështje me takimin që ky Forum organizoi në Tiranë me ministren Kumbaro dhe përfaqësues të studios që hartoi projektin.
ArgjiroLajm.net siguron gjithashtu edhe një mesazh që ka shkuar në celularin e shumë qytetarëve të Gjirokastrës, sidomos banorëve të lagjes që preket nga projekti. Mesazhi është dërguar nga Vasil Muka, ish-Drejtori i DAR në Gjirokastër gjatë mandatit të parë të PD-së dhe më pas funksionar në Ministrinë e Punës së drejtuar nga Spiro Ksera.
Por të qënit pjesë e PD-së nuk përjashton domosdoshmërisht Vasil Mukën nga pjesëmarrja në forum. Problemi është gjetkë, tek interesi për ta mbajtur gjallë debatin apo zhurmën rreth projektit të “Bypass-it”, debat ky që i intereson gjithashtu LSI-së në Gjirokastër, për të defaktorizuar ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila me gjasë do të jetë kandidate për deputete në Gjirokastër.
ArgjiroLajm.net kontaktoi me zyrën e shtypit në Ministrinë e Kulturës, për të mësuar nëse nesër në Gjirokastër do të marrë pjesë ministrja Kumbaro në takimin e thirrur në emër të forumit.
“Ministrja e quan të shteruar këtë debat, pasi në dy takime publike sqaroi si anëtarët e Forumit Gjirokastra, ashtu edhe banorët e lagjes që preken nga Projekti Teknik Paraprak, i cili nuk është miratuar si projekt zbatimi dhe as nuk ka plan investimi aktual nga Qeveria. Ministrja ka garantuar gjithashtu se asnjë vendimmarrje nuk bëhet pa vullnetin e komunitetit. Çdo koment apo veprim tjetër është manipulim i opinionit publik dhe spekulim me të vërtetën!”, thuhet në reagimin e zyrës së shtypit në Ministrinë e Kulturës.
Ndonëse Bashkia Gjirokastër ka qenë qysh në krye të herës bashkëudhëtare e këtij projektit përmes zyrë së saj urbanistike dhe ka marrë pjesë në çdo hap të zhvillimit të tij, përfshirë dhe dëgjesën publike të organizuar prej saj në vjeshtën e vitit 2016, ajo ka qenë e distancuar nga debati i nxitur fillimisht prej Besnik Aliajt, për llogari të PD-së.
Madje, nisur nga debatet në Këshillin bashkiak, është e qartë se kryebashkiakja Zamira Rami, ia faturon ngërçin e krijuar Ministrisë së Kulturës, ndonëse kjo e fundit merret vetëm me resatuarim monumentesh e jo me ndërtim rrugësh.
Si përfundim instrumentalizimi i këtij debati duket se ka prapavijë politike. Qëllimi nuk është për t’i bërë oponencë një projekti, me synim për ta përmirësuar, por thjesht për të goditur politikisht Mirela Kumbaron në funksion të garës elektorale të 18 qershorit.
/ArgjiroLajm.net/