Propozimi grek, Serbi-Shqipëri të luhet në Selanik

boutaris_GiannisNë mbledhjen e Shoqatës Rajonale të Bashkive të Maqedonisë Qendrore në Greqi, ka ardhur edhe një propozim disi i çuditshëm. Kryebashkiaku i Selanikut, Janis Butaris, ka hedhur idenë qe ndeshja Serbi-Shqipëri të zhvillohet në qytetin e tij.

Sipas tij, meqë ndeshja është ndërprerë për shkak të incidenteve, duhet të luhet në një fushë asnjëanëse dhe kjo mund të jetë qyteti i Selanikut. Në fakt, Butaris nuk di ende se cili do të jetë vendimi i UEFA-s për këtë ndeshje. 

Po sikur Shqipëria të marrë tre pikët në tavolinë? Më tej kryebashkiaku i Selanikut ka dënuar shfaqjen e flamurit të “Shqipërisë së Madhe”, duke thënë ndër të tjera se një flamur i tillë do të shkaktonte probleme edhe në Greqi. Nëse do të kemi një ndeshje të riluajtur mes Serbisë dhe Shqipërisë në Selanik dhe të lejohet prania e tifozëve, për kombëtaren tonë do të jetë më mirë pasi emigrantët e shumtë që janë në shtetin helen do të shkonin të mbështesnin ekipin.

Megjithatë, ka pak gjasa që propozimi grek i kryebashkiakut të Selanikut të merret për bazë. Butaris njihet si një njeri mbështetës i emigrantëve, ndërsa bashkia që ai drejton ka krijuar dhe një marrëdhënie të veçantë me bashkinë e Durrësit.

Libohova Online