Protesta e banorëve të Valaresë ishte organizuar nga debitorët e energjisë elektrike
Dy ditë më parë disa banorë të fshatit Valare në Gjirokastër protestuan para nënstacionit të vjetër, për mungesë të energjisë elektrike. Ata pretendojnë se dritat u janë ndërprerë padrejtësisht ndonëse i shlyejnë rregullisht faturat. ArgjiroLajm.net u interesua më tej për këtë problem pranë OSHEE Gjirokastër, ku mësoi se e vërteta është ndryshe.
Ndërprerja e energjisë elektrike është bërë për shkak të remontit që po kryhej në linjën e asaj zone, ndërsa sa i përket protestës ajo ishte organizuar nga ata banorë që rezultojnë debitorë të OSHEE Gjirokastër.
Pas ndërprerjes së energjisë në familjet debitore, banorët u tubuan te nënstacioni i vjetër elektrik, si dhe kërcënuan me bllokim të rrugës nacionale Tepelenë-Gjirokastër. Ndërkohë pritet që në ditët e ardhshme OSHEE Gjirokastër të vijojë me ndërprerjet e lidhjeve në familjet e tjera debitore të fshatit Valare. Disa abonentë kanë mbi 4 muaj që nuk shlyejnë faturat e energjisë.
©ArgjiroLajm.net