Protesta e opozitës/ Tavo: Bëmë një akt revolucionar. Golemi: Morët një tjetër shuplakë pas 25 qershorit

Protesta e sotme e opozitës në Tiranë është komentuar nga dy deputetë të Gjirokastrës; Vangjel Tavo dhe Flamur Golemi. Për deputetin e LSI-së, protesta e sotme ishte një akt revolucionar, ndërsa për deputetin e PS-së, opozita sot mori një tjetër shuplakë pas 25 qershorit.

Tavo

“Në kohë mashtrimi të madh, të thuash të vërtetën është akt revolucionar. Sot shqiptarët treguan se ata meritojnë më shumë. Kjo protestë madhështore dëshmoi se shqiptarët kanë zë, kanë një zë të fortë, dhe duan të dëgjohen. Një Shqipëri më e drejtë, me më shumë mundësi e të ardhme më të mirë për rininë. Një Shqipëri evropiane dhe shtet i së drejtës, jo kremator i shpresës. Falenderoj të gjithë pjesmarrësit nga qarku i Gjirokastrës të cilët iu bashkuan thirrjes së përbashkët mbarë kombëtare për një vend më të mirë për të gjithë ne dhe fëmijët tanë”

Golemi

“Opozitës nuk i mjaftoi 25 qershori. Sot morën një tjetër shuplakë nga qytetarët që i braktisën në marshimin e tyre të dëshpëruar për të marrë pushtetin me çdo kusht. Duan me patjetër të pengojnë zbatimin e reformës në drejtësi, por kjo s’ka për të ndodhur kurrë. Të paktën nuk na zhgënjyen në një gjë të vetme: Treguan sërish se nuk janë ende një alternativë për të drejtuar Shqipërinë dhe po vazhduan kështu kanë për të mbetur gjithnjë pakicë”