PS i përgjigjet Roland Bejkos: Nuk kthehet më koha kur ju i vinit njerëzit në rresht për miting

Partia Socialiste i përgjigjet kandidatëve për deputetë të PD-së në Gjirokastër. Konkretisht Roland Bejkos, i cili tha më herët gjatë ditës se Rama po ushtron presion ndaj administratës për të marrë pjesë në takimet e tij elektorale. Më poshtë deklarata e plotë e PS Gjirokastër.

Kandidatët për deputetë të PD-s në qarkun e Gjirokastrës që shqetësohen se po ushtrohet presion mbi administratën, ndërkohë që janë tashmë pjesë e qeverisë pikërisht për të provuar e dëshmuar të kundërtën, nuk e kanë kuptuar se nuk jemi më në kohën kur Partia Demokratike ishte në qeverisje dhe i vinte njerëzit në rresht duke i nxjerrë nga zyrat në mitingjet e tyre partiake. Ka ikur ajo kohë dhe nuk kthehet më! Ne duam të bëjmë shtet! Ne duam të bëjmë shtet dhe prandaj Partia Demokratike është sot pjesë e marrëveshjes PS-PD për të garantuar këtë vullnet!

I kujtojmë kanidatëve të PD-s se vetëm një llogari e thjeshtë mjafton për të kuptuar se shumica e 3000 grave e vajzave që, mbrëmë në darkë, morën pjesë në takimin e Partisë Socialiste në Virua me Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, nuk punojnë në administratën e drejtuar nga qeverisja socialiste në Qarkun e Gjirokastrës.

E vetmja arsye dhe motiv që i mblodhi ato në atë takim është besimi te programi përbashkues i Partisë Socialiste për Shqipërinë që duam, është mënyra se si Rilindja urbane dhe reformat e drejtuara nga Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë hedhur themelet për Qarkun e Gjirokastrës që duam.

Data 25 qershor do të jetë dita kur ky vullnet dhe ky motivim do të përkthehet në një votë të palëkundur për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën si e vetmja alternativë për Shqipërinë e flamurit kuq e zi!