PS krijon Rajonin e Jugut, Gjirokastra bashkohet me Vlorën

Edi-Rama-në-GjirokastërSikundër u njoftua një ditë më parë, kryeministri Rama zhvilloi sot një takim në Vlorë me deputetë të këtij qarku dhe deputetë të Gjirokastrës.
Në fokus të takimit ishte analiza e zgjedhjeve vendore, kultivimi i kanabisit dhe riorganizimi i strukturave të PS-së. Lidhur me këtë të fundit mësohet se kryeministri

Rama u ka komunikuar deputetëve ndarjen e Shqipërisë në gjashtë rajone. Qarku i VLorës dhe ai i Gjirokastrës do të përbëjnë rajonin e Jugut, një prej njësive të reja organizative të PS-së.Mësohet gjithashtu se kreu i socialistëve ka vendosur në krye të këtij rajoni deputetin, Koço Kokëdhima.

Ky i fundit është përfolur shpesh në media si superdeputeti i jugut dhe njeriu me më shumë influencë te kryeministri Rama. Kokëdhima në fjalën e mbajtur me këtë rast ka falenderuar kryeministrin për përgjegjësinë dhe ka kërkuar që qeveria të raportojë te ai edhe për çështje që lidhen me rajonin e Jugut. Sa i përket rajoneve të tjera, Saimir Tahiri do të drejtojë Tiranën dhe Durrësin, Blendi Klosi Fierin dhe Lushnjen, Taulant Balla Elbasanin dhe Korçën, ndërsa Ditmir Bushati Kukësin dhe Dibrën.

Ende nuk dihet drejtuesi i Shkodrës dhe Lezhës. Në muajin shtator Partia Socialiste do të nisë rifreskimin e strukturave të saj, zgjedhjen e kryetarëve në rrethe dhe shtimin e anëtarësisë. PS ndjehet e kërcënuar nga revanshi i LSI-së dhe rritja e saj e frikshme, sidomos në zgjedhjet e fundit vendore. Organizimi i ri synon t’i japë më shumë hapësirë të rinjve dhe përfaqësim sa më të gjerë në të gjitha shtresat.