Pse Edi Rama nuk foli në Gjirokastër për punësimet nepotike të LSI-së?
Në dy takime të fundit elektorale kryeministri Edi Rama ka sulmuar ashpër LSI-në, duke treguar publikisht me emra punësimet nepotike dhe klienteliste në administratë.
Kështu veproi gjatë takimit në Sarandë ditën e enjte, ku lexoi të punësuarit e kryetarit të Bashkisë Delvinë, bashki e cila drejtohet nga LSI-ja. Kështu ndodhi edhe dje gjatë takimit në Berat, bashki e drejtuar nga LSI-ja.
Por Rama nuk i përsëriti akuzat në Gjirokastër, bashki e drejtuar gjithashtu nga LSI-ja.
Në takimin e organizuar në Parkun e Viroit, ai kërkoi mbështetje për të qeverisur i vetëm, por e kurseu listën emërimeve nepotike nga Vangjel Tavo dhe Zamira Rami në Bashkinë Gjirokastër apo institucione të tjera që drejtohen prej LSI-së. Jo pak herë është raportuar në media për vende pune në administratë, ku një rrogë LSI-ja e ndan në dy a më shumë persona. Ndërkohë “Fiks Fare” denoncoi një vit më parë se si bëhej pushimi nga puna me short me letër me vrimë në Spitalin e Gjirokastrës, të drejtuar prej LSI-së.
Ndërkohë dje u shkarkua drejtori i spitalit Gjirokastër, i cili është njëkohësisht edhe kryetari LSI në Gjirokastër. Priten gjatë javës së ardhshme të tjera shkarkime nga radhët e drejtuesve të LSI-së.
/ArgjiroLajm.net/