Pse Flamur Bime nuk shkoi në festën e socialistëve në Gjirokastër?

Në takimin e djeshëm festiv të organizuar në Gjirokastër nga deputetët e zgjedhur të Partisë Socialiste, ra në sy mungesa e Flamur Bimes.

Ish-kryebashkiaku dhe aktualisht Prefekti i qarkut nuk mori pjesë në këtë event. Arsyet e mungesës së tij nuk dihen, por me siguri që mund të kuptohen lehtësisht. ‘Krisja’ e tij me PS-në nisi fill pas publikimit të listës së kandidatëve për deputetë. Bime pretendonte të ishte pjesë e listës së qarkut Gjirokastër, por u la jashtë nga Rama.

Ai nuk mori pjesë as në takimet e fushatës elektorale të kandidatëve të PS-së, ndërsa koordinatori Bledi Çuçi ishte shprehur publikisht se ‘Flamur Bime nuk punonte për PS-në’. Nga ana tjetër ishin të shumtë zërat në Gjirokastër që flisnin për një aleancë të fshehtë të tij me Vangjel Tavon.

Cilado qoftë arsyeja e mungesës në festën e djeshme, ajo nuk duhet parë e shkëputur nga mënjanimi i tij i plotë në fushatën elektorale. Duket se tashmë Flamur Bime ka ‘vulosur’ divorcin e tij politik të pakthyeshëm me Partinë Socialiste ose së paku me skuadrën e re fituese në zgjedhjet e 25 qershorit.

Burime jo zyrtare thonë gjithashtu se Rama do ta zëvendësojë në postin e Prefektit me Artemis Dralon, kandidaten për deputete në zonën e Dropullit. Megjithatë mbetet të presim muajin shtator kur do të formohet qeveria e re, për të mësuar se çfarë lëvizje do të ketë.

/ArgjiroLajm.net/