Pse humbi LSI në Gjirokastër/ Nga miti i rremë i Vangjel Tavos te arroganca e Zamira Ramit

“LSI forcë e parë, forcë e paparë” tashmë është thjesht refreni i një fushate të humbur nga partia Presidentit të zgjedhur, Ilir Meta. Në qarkun Gjirokastër LSI mori në total 12 mijë e 411 vota. Rreth 1 mijë vota më shumë se zgjedhjet e vitit 2013, ndonëse në këto zgjedhje kjo parti hynte me një avantazh të madh; drejton dy bashki të qarkut, Bashkinë Gjirokastër dhe Bashkinë Dropull. Kjo e fundit u fitua në vitin 2015 nën siglën e PD-së, por me një kandidat ‘kukull’ të Vangjel Tavos.

Pra, si shpjegohet që LSI ka pushtet në dy bashki, ku kontrollon rreth 1500 vende pune dhe nuk e merr dot mandatin e dytë? Kontrollonte që prej vitit 2013 drejtori të rëndësishme me një numër të konsiderueshëm të punësuarish si Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore, Spitali Rajonal, Drejtoria e Bujqësisë etj, por rritja në vota është shumë e vogël. Vetëm në Bashkinë Gjirokastër kanë marrë pjesë në zgjedhje 21 mijë e 434 vetë dhe për LSI-në kanë shkuar 4 mijë e 648 vota.

Një parti që qeveris një bashki me mbi 20 mijë votues, nuk arrin do të marrë as çerekun e votave të kësaj bashkie. Çfarë ka shkuar gabim? Pse i gjithë ky pushtet i LSI-së nuk u përkthye në më shumë vota, aq sa për t’i dhënë mandatin e dytë të deputetit në rang qarku apo për ta nxjerrë forcë të parë? Pse e gjithë infrastruktura e LSI-së në Gjirokastër, përfshi këtu klubin e futbollit ‘Luftëtari’ apo televizionin e marrë me qira prej një viti enkas për fushatë, nuk ndikoi në rritjen e rezultatit të kësaj partie? Pyetjet mund të vazhdojnë pafund, por do të na çojnë të gjitha tek i njëjti përfundim; modeli i qeverisjes së LSI-së.

Në çdo institucion të drejtuar prej saj, të paktën në Gjirokastër, duke përfshirë edhe Bashkinë e drejtuar nga Zamira Rami, qytetarët ndesheshin me arrogancën dhe korrupsionin.

Mjafton këtu të sjellim në vëmendje disa raste që janë bërë publike. Shkarkimi i drejtorit të Ujësjellësit, me kamera me vete dhe me një arrogancë të pashembullt nga një grua, i la një njollë jo të vogël Zamira Ramit dhe modelit të drejtuesve të LSI-së.

Skandali i denoncuar në “Fiks Fare” për punësimet në spitalin e Gjirokastrës, ku drejtori shkarkonte njerëz përmes shortit me letër me vrimë ishte një tjetër rast që i tregoi të gjithëve modelin e LSI-së. Për të vijuar më pas me punësimet qesharake, ku rroga e një vendi pune ndahej mes dy a më shumë personave, thjesht sa për t’i marrë votën. Apo denoncimet me ndarjen e subvencioneve për fermerët e blegtorët, të cilat jepeshin vetëm në këmbim të votës dhe mbështetjes publike për LSI-në.

Këto dhe raste të tjera, si shkarkimi i Ylli Muhos pa dhënë asnjë motivacion ose shpjegim publik, kontribuan për  ndërtimin e një modeli të shëmtuar të përdorimit të pushtetit në funksion të interesave partiake. Nuk duhet harruar gjithashtu as propaganda gebelsiane që LSI prodhonte përditë përmes Alpo Televizion, media e marrë me qira për t’i bërë ‘lavazh’ punës së Bashkisë Gjirokastër dhe institucioneve që drejtonte kjo parti, si dhe për të linçuar shpesh kundërshtarët e Zamira Ramit apo Vangjel Tavos.

Afërmendsh që ky model nuk do të pranohej nga qytetarët e Gjirokastrës dhe në rastin më të parë do të ndëshkohej me votë sikundër ndodhi në 25 qershor. Miti i rremë i Vangjel Tavos, si deputeti që zgjidhte punët me celular apo që u hapte celularin qytetarëve, u godit shumë gjatë fushatës nga kandidatët e PS-së.

Ata kërkuan ndëshkim me votë të modelit të Vangjel Tavos, si deputeti që ka 20 vjet në Parlament dhe nuk mban përgjegjësi, por vazhdon ende të premtojë e të premtojë pafund thjesht sa për të marrë votën.

Humbja e LSI-së në Gjirokastër natyrisht që nuk është e shkëputur as nga humbja në rang kombëtar, por veçanërisht në Gjirokastër u ndëshkua për modelin arrogant dhe kleptokrat. Mbetet për t’u parë se si do të sillet këtej e tutje kjo parti që për herë të parë pas 8 viteve pushtet kalon sërish në opozitë. Ndërkohë Bashkia Gjirokastër dhe Bashkia Dropull me siguri do të jenë ‘çerdhja’ e punësimit të njerëzve të LSI-së këtej e tutje.

/ArgjiroLajm.net/