Pse ndryshon ora dy herë në vit

ora-solare-2Duke filluar nga e diela e nesërme 26 tetor 2014, rikthehet ora dimërore, që do të thotë një orë gjumi më shumë në mëngjes. Në orën 03.00 të natës duke gdhirë dita e diel, akrepat do të kthehen me 60 minuta, pra ora do të bëhet 02.00.

Ndryshimi i orës bëhet dy herë në vit: të dielën e fundit të tetorit për orën dimërore dhe të dielën e fundit të marsit për orën verore.

Ndryshimi i orës më parë në Europë ka qenë jo i njëtrajtshëm, por ajo filloi të zbatohej masivisht në vitin 1974, pas krizës së parë të naftës, kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike. Si ligj europian ndryshimi i orës në Evropë u vendos në vitin 1981.

Ndryshimi i orës i cili realizohet çdo pranverë konsiston për shtatë muaj në kursimin e sasive të mëdha të energjisë, konkretisht e barabartë me 643.000.000 kilovat/orë, e përkthyer në aspektin ekonomik, me kuotën e 93 milionë eurove.

Rregulli i ndryshimit të orës është vendosur që në shekullin e tetëmbëdhjetë, ku i pari ka qenë Benjamin Franklin i cili hodhi teorinë se me realizimin e tij, do të kursehej shumë energji.

Ndërsa një shekull më vonë (në vitin 1907), teoria e tij u mor nga britaniku Uillett Uilliam, i cili e paraqiti atë në Dhomën e Komuneve e cila i dha dritën e gjelbër projektit “British Summer Time”, i cili përfshinte lëvizjen e akrepave të orës përpara gjatë verës.

Shumë vende e pasuan Britaninë e Madhe në këtë hap, veçanërisht në kohë lufte, kur ruajtja e energjisë ishte me të vërtetë një prioritet.

Ndërsa miratimi përfundimtar i kësaj mase për shumë vende të botës, konsiston në vitin 1966, i cili përkoi me krizën e energjisë.

Mjekja psikiatre: Efektet që shkakton direkt te njerëzit

Ndryshimi i orës do të na bëjë të flemë një orë më shumë, por sipas mjekëve lëvizja e akrepave reflektohet negativisht në sjelljen tonë.

Mjekja psikiatre Arjana Rreli shpjegon se shkurtimi apo zgjatimi i ditës dhe çrregullimi i gjumit sjell nervozizëm, lodhje dhe shpërqendrim.

Ndaj, mos u habisni nëse për disa ditë nga e diela e ndryshimit të orës, mund të mos jeni shumë në formë. Ndryshimi reflektohet edhe më shumë tek tipat e rregullt ose siç i quajmë zakonisht, ata striktë.

Në fakt, jo vetëm ndryshimi i orës, por edhe zona kohore ndikon në sjelljen e njerëzve.

Të paktën kështu mendohet në Spanjë, ku ligjvënësit po diskutojnë që ta ndryshojnë orën ligjore për shkak se kjo mund të përmirësojë gjumin dhe përqendrimin në punë.

Spanja ka zonën kohore të Europës Qendrore, të njëjtë me tonën. Edhe pse normalisht këtij shteti i takonte të ishte në një zonë tjetër kohore, me atë të Britanisë së Madhe apo Portugalisë, kjo u vendos nga diktatori Franko rreth 70 vjet më parë, për të qenë me të njëjtët akrepa, si aleatet e tij nazistë.