Pse nuk pati një konkurs për përzgjedhjen e stemës së re të Bashkisë Libohovë?

 Pse nuk pati një konkurs për përzgjedhjen e stemës së re të Bashkisë Libohovë?

Stema Bashkia LibohoveNë mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Libohovës ndër vendimet që u morën ishte edhe ai për miratimin e stemës së re të Bashkisë. Me 7 vota pro dhe 3 vota kundër u zgjodh një prej propozimeve.

Deri këtu mund të duket gjithçka normale për dikë që merr vesh për herë të parë se u miratua stema e re e Bashkisë Libohovë. Megjithatë nuk është kështu sepse s’ka patur një proces të hapur. 

Dhe nuk dihet mbi cilat kritere u bë vlerësimi nga këshilltarët i propozimeve të paraqitura. Në fakt ishin vetëm dy propozime. Ka disa momente që duhen veçuar.

Së pari nuk ka një njoftim apo shpallje publike nga Bashkia Libohovë, ku të mirëpriten propozime për stemën e re, në mënyrë që të gjithë të interesuarit të jepnin propozimet e tyre. Pra, të organizohej në formë konkursi me pjesëmarrje të gjerë. Të lihej një afat për mbledhjen e propozimeve.

Së dyti, nuk ka një argumentim apo një analizë se për cilat arsye duhet ndryshuar stema e vjetër dhe çfarë duhet të reflektojë stema e re. Apo thjesht, i shkrepet në mendje dikujt për ta ndryshuar dhe të gjithë shkojnë pas tij? Stema e një institucioni është pjesë e historisë dhe identitetit të tij, nuk mund të ndryshohet kaq kollaj pa patur arsye të forta.

Së treti, a e kanë ekspertizën anëtarët e Këshillit Bashkiak për të vlerësuar propozimet e paraqitura? Ndoshta do duhej ngritur një komision i posaçëm, i cili mbi bazën e disa kritereve të shpallura publikisht të bënte vlerësimin e propozimeve të paraqitura dhe më pas t’ia kalonte për miratim Këshillit Bashkiak.

Së katërti, nëse do ishte organizuar në formën e një konkursi të hapur me rregulla e kritere të shpallura paraprakisht dhe nëse do të kishte një shpërblim financiar modest për fituesin, me siguri që do të kishte më shumë propozime. Rrjedhimisht kjo do të thotë që mund të shkonim drejt një zgjedhje më të mirë sesa kur je i detyruar të zgjedhësh mes dy propozimeve.

Nuk marrim përsipër të vlerësojmë dy stemat e propozuara sepse nuk e kemi ekspertizën e duhur edhe pse një koment për të dyja mund ta japim, por thelbi i këtij shqetësimi është mungesa e një procesi të hapur, mungesa e një konkursi me pjesëmarrje të gjerë. Kjo do të garantonte një zgjedhje më të mirë. Pra, më shumë sesa stema e re në vetvete, ka rëndësi procesi se si vlerësohen dhe zgjidhen propozimet e paraqitura. Nuk ka patur një proces, gjithçka është diskutuar dhe vendosur mes këshilltarëve.

Sidoqoftë, për aq kohë sa stema e re nuk është miratuar ende nga Prefekti, duhet që gjithçka të ribëhet nga e para.

|Libohova Online|

Libohova Online