Punësimet në shtet, çfarë do të bëhet me njerëzit e LSI-së në Gjirokastër?

Dalja në opozitë e LSI-së pas 8 vitesh qeverisje dhe fakti se Edi Rama i fitoi zgjedhjet i vetëm, ka prishur qetësinë e njerëzve që punojnë në administratën shtetërore, njerëz të emëruar apo promovuar në funksione të ndryshme prej LSI-së.

Ministrat e LSI-së do të mbajnë postet që kanë deri në muajin shtator, kur pritet të nisë qeveria e re nga puna. Të paktën kjo mësohet paraprakisht, por ndërkohë të rrezikuar janë njerëzit e saj, sidomos ata që nuk kanë statusin e nëpunësit civil.

Sa i përket Gjirokastrës, që prej vitit 2013 LSI administronte pushtetin në pjesën më të madhe të drejtorive, duke i dhënë mundësi të punësonte militantët e vet, shpesh edhe duke fryrë organikën dhe duke shkelur ligjin për punësimet. Jo zyrtarisht mësohet se spastrimet në administratë do të nisin në vjeshtë të këtij viti, pak pasi të fillojë nga puna qeveria e re.

Reformimi i administratës publike mbetet një nga sfidat e Ramës në këtë mandat të dytë. Gjatë fushatës elektorale ai e ngriti me shqetësim të madh këtë problem, duke e ilustruar me metaforën e tepsisë së pushtetit. Por mbetet për t’u parë se si do të procedohet në këtë drejtim.

/ArgjiroLajm.net/