Qeveria greke, mosmarrëveshje për nënshtetësinë e emigrantëve

kammenosNdërsa një javë më parë u deklarua zyrtarisht nga përfaqësues të SYRIZA-s në qeverinë greke se do t’u jepet nënshtetësia të gjithë brezit të dytë të emigrantëve apo fëmijëve të tyre, kanë nisur dhe mosmarrëveshjet e para mes partnerëve të koalicionit. Kryetari i partisë “Grekët e Pavarur”, Panos Kamenos, duke folur për televizionin ANT1 tha se partia e tij është dakord që të marrin nënshtetësi greke vetëm brezi i tretë i emigrantëve, jo brezi i dytë.  

“Anëtarët e partisë “Grekët e Pavarur” nuk janë dele që të votojnë kundër ndërgjegjes dhe parimeve të tyre. Ne nuk pranojmë fëmijët e emigrantëve, domethënë brezin e dytë të tyre që lindën në Greqi, të marrin nënshtetësi greke. Në kontrast me këtë, pranojmë dhënien e nënshtetësisë për brezin e tretë, ata fëmijë që rriten këtu, që shkojnë në ushtri dhe respektojnë ligjet e Kushtetutën e Greqisë”,- deklaroi Kamenos.

Duke iu referuar kësaj cështje, Kamenos u shpreh se nëse ky projekt-ligj do të jetë në kundërshtim me parimet e tyre, ata do të votojnë kundër. “Grekët e Pavarur” i përkasin një formacioni politik të krijuar në vitin 2012 pas një çarje të Demokracisë së Re. Koalicioni me SYRIZA-n, u duk i çuditshëm sepse të dyja palët i bashkonte kundërshtimi për masat e kursimit, ndërsa ndaheshin për shumë gjëra të tjera, sidomos ato që kanë të bëjnë me emigrantët.