Qeveria jep “Ok” për bashkëjetesën e çifteve homoseksuale

55842717-gay-couple-kissing-gentleQeveria pritet të sjell në Kuvend, draftin për “Kodin e Familjes” në të cilin parashikohet edhe lejimi i bashkëjetesës për partnerët e të njëjtit seks. Merita Xhafaj drejtoreshë e Përgjithshme e Politikave Sociale në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, deklaroi dje në Komisionin për të Drejtat e Njëriut së është gjetur dakordësia me Ministrinë e Drejtësisë për ndryshime në nenet 163 dhe 164 të Kodit të Familjes në të cilat flitet për bashkëjetesën.

Sipas drejtoreshës Xhafaj, ministritë kanë gjetur dakordësinë dhe pritet që në draftin që do të dorëzohet së shpejti në Kuvend të pranohet ligjërisht edhe bashkëjetesa e partnerëve të të njëjtit seks.Neni 163 në Kodin e Familjes përcakton se “Bashkëjetesa është një bashkim fakti midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie”. Ndryshimet e reja që po bëhen në Kod, pritet që përcaktimin “burr dhe grua” ta heqin ose ta shtojnë me përcaktimin “ose grua me grua dhe burrë me burrë”.

Raporti i firmosur nga ministri i Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj për këtë komunitet bën me dije se “Në kuadër të zbatimit të Planit të Veprimit “Për mbrojtjen nga diskriminimi për shkak të orientimit seksual dhe identitet gjinor 2012-2014”, gjatë muajit mars 2014, janë përgatitur draft- propozimet e MMSR “Për disa ndryshime në Ligjin Nr. 9062, datë 05.08.2003 “Kodi i Familjes, i ndryshuar” të cilat ju dërguan Ministrisë së Drejtësisë si institucioni përgjegjës për ndryshimet në Kodin e Familjes. Ndryshimet kërkohen për nenet 163 dhe 164 lidhur me institutin e bashkëjetesës”.

Gjatë diskutimit të raportit të Avokatit të Popullit për të drejtat e personave LGBT, përfaqësuesit e qeverisë dhe deputetët e Komisionit për të Drejtat e Njëriut shprehën angazhimin e tyre për të bërë përmirsime në legjislacion për të drejtat e këtij komuniteti.  Përfaqsuesit e qeverisë pranuan propozimet e bëra nga ministritë që po merren me këtë çështje,ndërkohë që përfaqsues të komunitetit LGBT dhe aktivistë të shoqërisë civile bënë me dije problematikat që hasen nga diskriminimi i tyre. Ndërkohë zv.ministrja e Arsimit Nora Malaj u shpreh se janë bërë tri qasje të reja në parandalim edukimit  dhe ri-integrim apo integrim për këtë komunitet.

Komisionerja, “Kanosja për homoseksualët, vepër penale”
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku ka propozuar ndryshim të disa neneve të Kodit Penal për kanosjen që i bëhet homoseksualëve. Vetë komisionerja raportoj dje në Komision propozimet që janë bërë në drejtim të Ministrisë së Brendshme për mbrojtjen e kësaj kategorie të shoqërisë. “Për të garantuar të drejtën për siguri dhe mbrojtje nga dhuna e personave për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor propozojmë që kërcënimi apo kanosja për orientimin seksual të shtohet si nen në Kodin Penal,”thuhet në propozimin e bërë. 
 
Pretendimet, “LGBT diskrimonohet në shkolla e spitale”
Drejtuesit e komunitetit LGBT, shprehen se diskriminimi më i madh i tyre ndodh në shkolla, ku shumë prej të rinjve po i braktisin ato për shkak të prirjeve. Familjet gjithashtu nuk i pranojnë, ndërkohë që sipas tyre edhe ndihma shëndetësore në shumë raste nuk i është ofruar për shkak të orientimit që kanë dhe diskriminimit që ekziston për ta. Një tjetër problem është diskriminimi në punësim ku persona të cilët identifikohen lehtësisht që i përkasin komunitetit LGBT humbasin shansin për të marrë një vend pune që në momentin e intervistimit. /shqiptarja.com