Raporti/ 47 bashki fshehin vendimet, mes tyre Gjirokastra, Libohova e Dropulli
Bilanc i zi sa i takon transparencës së veprimtarisë së pushtetit vendor. 57 bashki nga 61 të tilla, nuk janë transparente për qytetarët dhe mediat, duke sfiduar hapur Kushtetutën dhe ligjin nr. 119/2014, për të drejtën e informimit. Ndërkaq, 47 bashki fshehin vendimet dhe aktet me impakt në jetën e qytetarëve. Nga 61 bashki, vetëm 9 prej tyre kanë adaptuar programin e transparencës në zbatim të ligjit për të drejtën e informimit.
Këto janë disa nga gjetjet në raportin e INFOÇIP, mbi monitorimin e pushtetit vendor në Shqipëri. Gjetjet u prezantuan pikërisht në 3 Maji, në Ditën Botërore të Shtypit të Lirë. Sa i përket qarkut Gjirokastër nuk janë bashki transparente: Bashkia Gjirokastër, Bashkia Libohovë, Bashkia Dropull, Bashkia Tepelenë dhe Bashkia Memaliaj.
“Nga vlerësimi i realizuar nga INFOÇIP, rezultoi se nga 61 bashki të krijuara nga reforma, vetëm 24 prej tyre kanë faqe zyrtare interneti. Një vit pas skadimit të afatit që caktonte ligji 119/2014 “Për të drejtën e Informimit”, vetëm 9 bashki kanë adoptuar Programet e Transparencës. Nga vlerësimi rezultoi se vetëm 6 bashki kanë tashmë të publikuar një regjistër të tillë, konkretisht Himara, Kavaja, Lezha, Vlora, Vora dhe Shkodra. Ligji 119/2014 i cakton bashkive detyrimin për caktimin e koordinatorëve të Informimit. Nga të dhënat, rezultoi se deri në 30 prill 2016 janë caktuar në këtë funksion 41 persona. Ende 20 bashki nuk e kanë përmbushur akoma detyrimin ligjor”, thuhet në raport. –
Detyrimet ligjore
Sipas pikës 1 të nenit 4 të ligjit të ri, autoriteti publik, jo më vonë se 6 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit ose nga krijimi i tij, vë në zbatim një program institucional të transparencës, ku përcaktohen kategoritë e informacionit që bëhet publik pa kërkesë dhe mënyra e bërjes publike të këtij informacioni. Sipas nenit 8, autoriteti publik krijon, mban dhe bën publik një regjistër të posaçëm, ku pasqyrohen të gjitha kërkesat për informim dhe informacionet e dhëna në përgjigje të tyre.
Ky regjistër përditësohet çdo 3 muaj dhe publikohet në faqen e internetit të autoritetit publik. Neni 10 parashikon që me qëllim bashkërendimin e punës për garantimin e së drejtës së informimit, autoriteti publik cakton një prej nëpunësve si koordinator për të drejtën e informimit. Shumica e bashkive nuk kanë përmbushur asnjërën pikë.