Raporti, Avokati i Popullit kritikon qeverinë për gjendjen në Lazarat

big_asgjesim_1Në fund të dhjetorit 2015, Avokati i Popullit ka dorëzuar në Kuvend një raport për fshatin Lazarat, ku policia ndërhyri për ta pastruar nga kanabisi dhe elementët kriminalë. Raporti është fshikullues për qeverinë, pasi vë në dukje shumë shkelje të rënda dhe mungesë shërbimesh në këtë zonë. Duke filluar që nga faturat afrofe të energjisë elektrike, mungesa e ujit, mungesa e sistemit shëndetësor etj.

“Nga takimet me banorët dhe verifikimet në terren, sipas këtij institucioni, ka rezultuar keqtrajtim nga punonjësit e policisë në dëm të disa banorëve në Lazarat të Gjirokastrës. Mbi këtë shqetësim është urdhëruar kryerja e një hetimi të pavarur administrativ, në përfundim të të cilit i është rekomanduar Prokurorisë fillimi i hetimit për  veprimet arbitrare. Faturimet aforfe për të cilat i është rekomanduar strukturave të OSHEE-së marrja e masave të menjëhershme, për instalimin e matësve të energjisë elektrike për çdo abonent, që në të ardhmen konsumatori të mos paguajë më faturimeve aforfe”.

Më tej në raport shkruhet:

“Probleme me furnizimin me ujë të pijshëm dhe faturimin aforfe të tij. Lidhur me këtë shqetësim, Avokati i Popullti i ka rekomanduar Kryetares së Bashkisë Gjrokastër marrjen e masave të menjëhershme për furnizim normal me ujë të pijshëm, si edhe instalimin e matësve të konsumit të ujit për çdo abonent, me qëllim që të shmangen faturimet aforfe”.

Avokati i Popullit shkruan se, pavarësisht dy kërkesave të institucionit të Avokatit të Popullit, drejtuar OSSHEE dhe dy shkresave drejtuar Bashkisë së Gjirokastrës, asnjëri prej këtyre institucioneve nuk ka vënë “ujin në zjarr” as për të marrë masa dhe as ka denjuar të kthejë përgjigje.

Problem më vete për lazaratasit është edhe sistemi shëndetësor dhe mungesa e psikologëve nëpër shkolla. Avokati i Popullit shkruan se për këtë çështje ka kërkuar shpjegime nga Ministria e Shëndetësisë dhe DRSH-ja Gjirokastër, të cilët e pranuan realitetin, por nuk kanë bërë gjë për të ndryshuar situatën.