Raporti i akreditimit, ja çfarë thonë britanikët për Universitetin ‘Eqrem Çabej’ në Gjirokastër
Akreditim me kusht, nga 1 deri në 5 vite për të gjitha universitetet publike e private në vend. Është ky vendimi përfundimtar që do të dalë sot nga mbledhja e Bordit të Akreditimit.
Por, në fakt, gjithçka është vendosur më herët, pas analizës së raporteve që kanë hartuar ekspertët e agjencisë britanike “Quality Assurance Agency” dhe ata vendas, pjesë e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, pas një periudhe 6-mujore.
Për të gjitha universitetet publike në vend është dhënë “OK”, me kushtin që në krye të një ose disa viteve të plotësojnë standardet, në të kundërt nuk do të funksionojnë si të tilla.
Në mbledhjen joformale të zhvilluar një ditë më parë është vendosur akreditimi me kusht për disa universitete, duke përmbyllur kështu procesin e vlerësimit për akreditimin e të gjitha IAL-ve në vend. Në tabelën bashkëngjitur shkrimit pasqyrohet edhe kohëzgjatja e periudhës së vlefshmërisë.
Sa i përket Universitetit ‘Eqrem Çabej’ në Gjirokastër, është lënë me kusht plotësimi i të pesë standardeve të marra në shqyrtim brenda 2 viteve. Këto raporte të detajuara pritet t’i shkojnë në tryezë ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, e cila nga ana e saj në bazë të tyre vendos nëse një institucion akreditohet ose jo.
Më poshtë lista me universitetet e tjera publike në vend dhe afati që i është lënë nga agjensia britanike për të përmbushur standardet.
REZULTATI PER AKREDITIMIN INSTITUCIONAL
Universiteti i Mjekësisë 5 vite
Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan 3 vite
Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës 4 vite
Universiteti Bujqësor i Tiranës 4 vite
Universiteti Politeknik i Tiranës 3 vite
Universiteti “Fan. S. Noli”, Korçë 4 vite
Universiteti i Tiranës 1 vit
Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër 2 vite
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë 2 vite
Universiteti “Eqerem Çabej”, Gjirokastër 2 vite