Raporti i INSTAT, Gjirokastra në vend të parë për makinën larëse të enëve

familjet-maikina-lareseNdonëse banorët e rrethit të Gjirokastrës konsiderohen, sipas kulturës popullore shqiptare, si individë më “dorështrënguar” krahasuar me qytetet e tjera, raporti i fundit i INSTAT i Statistikave Rajonale tregon se gjirokastritët nuk janë dhe aq dorështrënguar kur bëhet fjalë për blerjen e produkteve jo të domosdoshme.

Arsyeja gjendet mes shifrave për një ndër pajisjet që ende konsiderohet si mjet luksi për shqiptarët, makina larëse e enëve ose ndryshe lavastovilja, në zotërimin e së cilës, Gjirokastra mban vendin e parë në Shqipëri.

5.1 % e familjeve në Gjirokastër kanë makinë larëse për enët, ndjekur më pas nga familjet nga Vlora me 4.7 %, Tirana dhe Shkodra me 3.8 %, Fieri dhe Berati me 3.6 % dhe Durrësi me 3.2 %.
Zonat e varfëra si Kukësi dhe Elbasani kanë përqindje të ulët të zotërimit të këtij aseti, prej 0.5 % dhe 0.6%. Ndërsa, në total në Shqipëri, perqindja e zotërimit të kësaj pajisjeje në total është 3.2 %.

Zotërimi i makinës për larjen e enëve është futur rishtazi në listën e pajisjeve afatgjata të familjeve shqiptare, sipas INSTAT. Në botimin e këtij viti të raportit statistikor rajonal është shtuar si zë edhe pajisja me makinë larëse për enët. Bëhet fjalë ende për shifra relativisht të ulëta krahasuar me pajisjet e tjera elektroshtëpiake, të cilat konsiderohen tashmë si domosdoshmëri në familjet shqiptare, si lavatriçja, frigoriferi, televizori, apo edhe makina.