Raporti/ Një deputet i Gjirokastrës mes atyre që s’kanë folur fare në Kuvend që prej shtatorit
Të dhëna domethënese për deputetët e Kuvendit janë publikuar sot lidhur me angazhimin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë në 3 muajt e parë të këtij mandati. Instituti i Studimeve Politike ka monitoruar prej shtatorit 2017, 18 seanca plenare dhe disa dhjetëra kronika mbi punën e komisioneve parlamentare. Me mbështetjen e qeverisë së Mbretërisë së Holandës, përmes database www.deputetim.al ka sjellë disa të dhëna me interes nga raporti i plotë, i cili do të publikohet javën e ardhshme. Sipas ISP, të dhënat e monitorimit tregojnë se dy liderit politikë, Edi Rama (PS) dhe Lulzim Basha (PD) kanë folur në 11 seanca parlamentare. Në disa prej tyre ata kanë folur më shumë se njëherë, kryesisht në replika me njëri tjetrin ose me deputetë të tjerë.
Gjithashtu edhe deputetët Taulant Balla (PS), Edmond Spaho (PD) e Petrit Vasili (LSI), duke qenë kryetar të grupeve parlamentare, kanë pasur më shumë akses procedural sesa deputetët e tjerë. Të pesë emrat, përfshirë kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, për shkak të funksionit të Rregullores së Kuvendit, nuk mund të konsiderohen “deputetë” të thjeshtë dhe janë përjashtuar nga tabela e vlerësimit. Mes 18 deputetëve ‘memecë’ që nuk kanë folur fare gjatë këtyre muajve është edhe Vangjel Tavo, deputeti i LSI-së në qarkun Gjirokastër.