Rastet me antraks, reagon Bashkia Libohovë: S’ka vend për panik, janë marrë të gjitha masat

BashkiaBashkia Libohovë ka reagur lidhur me dy rastet me antraks të shfaqura në fshatin Nepravishtë.

Pëmes një deklarate të shpërndarë në faqen në Facebook, bashkia thotë se nuk kemi të bëjmë me një situatë alarmante dhe se problemi po trajtohet bashkë me institucionet e tjera përgjegjëse.

Më poshtë deklarata e plotë e bashkisë:

Nisur nga raportimet e fundit në mediat lokale për evidentimin e dy rasteve me antraks (plasje) në fshatin Nepravishtë, Bashkia Libohovë sqaron situatën si vijon:

Pasi Drejtoria e Shëndetit Publik në Gjirokastër na ka vënë në dijeni të këtij problemi, Bashkia Libohovë menjëherë ka kontaktuar me Drejtorinë e Bujqësisë, e cila bashkë me inspektorë të shëndetit publik e Shërbimit Veterinar kanë shkuar për të parë nga afër gjendjen.

Pas inspektimeve dhe analizave të kryera, ka rezultuar se kemi të bëjmë me antraks kutan të lëkurës, që është një formë sporadike, e cila përhapet kryesisht përmes plehut të bagëtive.

Janë marrë të gjitha masat profilaktike për të bërë dezinfektimin e zonës dhe për të trajtuar të prekurit nga kjo sëmundje, por siç na kanë garantuar edhe specialistët e shëndetit publik, nuk kemi të bëjmë me një epidemi apo situatë alarmante. Nga inspektimet në terren nuk është konstatuar asnjë hedhje e bagëtive të ngordhura në përrua sikundër është pretenduar në media nga disa banorë, por kemi të bëjmë thjesht me lesh të bagëtive të imta.

Zona e Nepravishtës ka qenë ndër vite problematike sa i përket shfaqjes së antraksit, por në çdo rast janë marrë masat profilaktike për dezinfektimin dhe groposjen e bagëtive nën mbikëqyrjen e veterinerit.

Përsa i përket përroit, përveç banorëve që jetojnë aty, në mbajtjen pastër të tij është investuar ndër vite edhe një kompani private, e cila shfrytëzon një pjesë të burimit të ujit. Megjithatë Bashkia Libohovë i bën thirrje banorëve të asaj zonë të mos hedhin asnjë mbetje urbane në përrua, aq më tepër qofshin këto bagëti të ngordhura. Për çdo rast të njoftohet bashkia dhe shërbimi veterinar, në mënyrë që të evitohet çdo rrezik potencial.

Edhe njëherë theksojmë se nuk kemi aspak të bëjmë me një situatë alarmante. Bashkia Libohovë është në kontakt të vazhdueshëm me çdo institucion tjetër për të trajtuar këtë çështje dhe për të marrë masat e duhura në të mirë të qytetarëve.