Raundi i dytë për universitetet, si do plotësohen kuotat
Faza tjetër e garës do të jetë vendimtare për fatin e maturantëve shumë të mirë, që nuk janë shpallur fitues në asnjë program studimi.
Në një bisedë me maturantët e pakënaqur, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, bëri publik një detaj me rëndësi të skemës së pranimeve pas raundit të dytë, i cili do të plotësojë të gjitha vendet që ofrojnë universitetet.
Procedura e garimit do të jetë identike me të parin, me ndryshimin e vetëm: në fund të garës vendet e lira do të plotësohen duke postuar listën e fituesve. Më saktë, bëhet fjalë për një post-raund tjetër, ku do të bëhet zbritja e listës së emrave poshtë vijës së kuqe, sipas renditjes përfundimtare për aq kuota të parealizuara sa do të ketë secila degë.
RAUNDI I DYTË
“A mund të ndodhë që në raundin tjetër të përsëritet historia si në raundin e parë, ku një nxënës të fitojë më shumë se një degë? Nëse do të vazhdonte kështu, ku këta nxënës do të bllokonin disa vende më shumë, nuk do të ishte më e drejtë që në raundin e dytë të zbatohej meritë- preferencë?”.
Kjo është njëra prej çështjeve që i mundon më shumë maturantët. Duke iu përgjigjur shqetësimit të saj, në bisedën me ta ministrja i garantoi se pas fazës tjetër të garës asnjë vend në universitet nuk do të mbetet bosh. Thënë, ndryshe, formula e pranimeve pritet të zgjidhë në raundin e dytë ngërçin e degëve aktualisht të zaptuara nga një grusht studentësh.
“Ajo që sistemi mundëson, ka të bëjë me faktin që nuk do të mbeten më kuota bosh. Ai që ka fituar në 10 do të zgjedhë preferencën e vet dhe këto 9 vendet e lira do të plotësohen, duke futur kandidatët poshtë vijës së kuqe. Kuota bosh, kur ka studentë që meritojnë të jenë pjesë e tij nuk do të ketë. I tillë është ndërtuar sistemi”, vuri në dukje Nikolla.
Shqetësimet e maturantëve vinin edhe për kurrikulën e zhvilluar në shkollën e mesme, kriteret e pranimit nga universitetet, ku lëndë me peshë të caktuar disa prej tyre nuk i kishin zhvilluar fare në vitin e tretë të gjimnazit e problematika të tjera që morën përgjigje nga ministrja dhe rektorët e universiteteve.
Nga një analizë paraprake që ka bërë Ministria e Arsimit dhe universitetet rezulton që maturantët më të mirë kanë fituar dhjetë apo më pak programe studimi. Por këta të fundit kanë të drejtë që deri në datën 20 të regjistrohen në vetëm një degë, duke lënë të lira profilet e tjera. Kështu, duke iu treguar rrugën që duhet të ndjekin tashmë, ministrja garantoi që asnjë maturant cilësor nuk do të mbetet jashtë dyerve të universiteteve./panorama