Refugjatët algjerianë vjedhin një shtëpi në Dropull, forcat speciale zbarkojnë në kufirin shqiptaro-grek
Repartet shqiptare të policisë “Delta Force” po patrullojnë kufirin shqiptaro – grek pas një numri të shtuar të refugjatëve në të dy anët e kufirit.
Policia e Gjirokastrës njoftoi sot edhe përfshirjen e tre refugjatëve algjerianë në një vjedhje banese në zonën e Dropullit dhe arrestimin e tyre. Policia shqiptare tha se 5 refugjatë të tjerë nga Siria, Algjeria dhe Libia u bllokuan në kufi dhe iu dorëzuan autoriteteve greke mbi bazë të praktikave të dorëzimit vullnetar. Autoritete shqiptare flasin për një rritje në këtë periudhë të trafikut të refugjatëve sidomos nga Siria dhe Afrika e Veriut drejt territorit shqiptar dhe më pas udhëtimit të tyre drejt Malit të Zi. Të dhënat policore shqiptare flasin për mbi 300 refugjatë të bllokuar nga janari i këtij viti, të cilët kanë hyrë nga kufiri grek drejt territorit shqiptar. Numrin më të madh të refugjatëve e zënë algjerianët (rreth 110 persona) dhe më pas renditen sirianët (100 persona) ndërkohë që refugjatë e tjerë u përkasin vendeve si Afganistani, Libia, Maroku, etj. Policia shqiptare ka goditur në këtë periudhë edhe disa grupe apo individë që janë përfshirë në trafikun e refugjatëve duke arrestuar shtatë persona.
Trajtimi i refugjatëvë në kufi
Shërbimet policore shqiptare ofrojnë ndihmën e parë për refugjatët në një stacion të ngritur në Pikën Kufitare të Kakavijës të lehtësuar nga Agjensia Ndërkombëtare e Refugjatëve UNHCR dhe organizata “Caritas”. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, Oltiana Nano tha se refugjatët pasi bllokohen në zonat kufitare shoqërohen në pikën e posaçme që është ngritur në Postën Policore të Kakavijës në kufi me Greqinë. “Në këtë pikë,tha zonja Nano, refugjatët intervistohen me përkthyes në gjuhën amtare dhe më pas pyeten nëse kërkojnë azil në Shqipëri apo rikthimin vullnetar në Greqi”. Refugjatët e bllokuar në territorin shqiptar u dorëzohen autoriteteve greke ndërkohë që për shtetasit sirianë që kërkojnë azil në Shqiperi ndiqen praktika të vecanta. Ata qëndrojnë në një qendër të ngritur kete vit pranë Gjirokastrës deri në kryejen e praktikave dokumentare dhe më pas dërgohen në një qendër në periferi të Tiranës. Në vitin 2016 numri i refugjatëve azilkërkues në Shqipëri u rrit në rreth 200 nga 134 persona që ishte në vitin 2014 dhe 106 persona në vitin 2015. Sipas vlerësimeve policore refugjatët kryesisht nga Siria dhe Afganistani, i përdorin këto taktika në Shqipëri, pasi nëse nuk kërkojnë formalisht azil rikthehen menjëherë në Greqi, vendi prej nga ku hynë në territorin shqiptar.
Greqia vendi nga trafikohen refugjatët në Shqipëri
Greqia është vendi nga hyjnë refugjatët drejt territorit shqiptar. Sipas autoriteteve policore shqiptare rritja e numrit të refugjatëve në Greqi javët e fundit reflekton edhe tendencat e rritjes së trafikut drejt Shqipërisë. Sipas autoriteteve greke megjithë patrullimet e larta në Detin Egje për të penguar veprimtarinë e trafikantëve midis Turqisë dhe Greqisë, rreth 3,700 refugjatë arritën në brigjet greke vetëm pargjatë muajit gusht. Trafiku i rritur u shoqërua me mbipopullim të në qendrat e pritjes në ishujt grekë të Lesvos, Kios, Samos dhe Leros. Sipas autoriteteve greke që nga fundi i muajit korrik, numri i personave që kërkojnë azil në Samos pothuajse është dyfishuar. Qendra e vetme pritese e ishullit është projektuar për 700 banorë, por aktualisht ajo pret rreth 2,200 persona, duke përfshirë 600 të mitur. Skema e Strehimit dhe Shërbimeve të UNHCR-së deklaroi se iu përgjigj kërkesës së autoriteteve Greke për të rritur kapacitetin e pritjes së Greqisë për azilkërkuesit e prekshëm, duke krijuar 22,000 vende akomodimi deri në fund të 2017. Akomodimi i siguruar per refugjatet nga UNHCR pritet të jetë në apartamente, hotele, në ndërtesa të tjera apo me një familje pritëse. UNHCR në Greqi tha se të gjithë azilkërkuesit ndihmohen edhe me paketa të gatshme që mbulojnë nevojat e tyre ditore siç janë artikujt e ushqimit dhe higjienës. /VOA/