Reportazh / Me turistët e verës në kalanë e Argjirosë (FOTO)

Në këto ditë vere kalaja e Gjirokastrës po mirëpret vizitorë të shumtë. Vlerat e saj ndërtimore dhe të trashëgimisë kulturore po tërheqin kryesisht grupet turistike të huaja. Krahas vlerave historike, kështjella e Argjirosë ofron për turistët edhe një pamje mbresëlënëse të qytetit të gurtë.

Mysafirë në kështjellë

Pjesa më e madhe e vizitorëve që mbërrijnë gjatë këtyre ditëve në kalanë e gurtë janë të huaj. Gjermanë, italianë, grekë, maqedonas, madje edhe turistë nga SHBA-ja udhëtojnë në ture të organizuara apo grupe shoqërore dhe familjarë për të vizituar Gjirokastrën dhe kështjellën e saj. “Jemi një grup vizitorësh nga Larisa, Greqi. Kemi dy ditë që udhëtojmë këtu në Shqipëri. Është bukur dhe nuk ndeshëm asnjë ndryshim mes mikpritjes së dy vendeve.  Gjatë udhëtimit tonë kemi kaluar mirë. Shkuam në Sarandë dhe aktualisht po vizitojmë  Gjirokastrën dhe kështjellën e saj. Mendoj se të gjitha këto vlera prej guri janë ndërtuar brez pas brezi dhe duan kujdes, duhen mirëmbajtur”, thotë Dionisis Spiros. Atë e takuam ndërsa vizitonte kalanë së bashku me një grup prej 30 turistësh nga Greqia. “Është hera e parë që vij në Shqipëri.

Vizituam Sarandën dhe tani Gjirokastrën. Këtu është bukur, gjysma e qytetit është e vjetër dhe pjesa tjetër e re. Është shumë mirë edhe këtu në kështjellë”, shprehet një tjetër pjesëtare e këtij grupi turistik, ndërsa kundron bukuritë e qytetit nga lartësitë e bedenave të gurta. Në mjediset e kalasë bashkëbisedojmë edhe me nje grup vizitorësh nga Maqedonia. “Është hera e dytë që vizitoj Shqipërinë. Edhe vitin e kaluar kam qenë në Gjirokastër. Është një qytet i veçantë dhe kalaja është një prej pikave më tërheqëse”, thotë G. Manviç, pjestar i grupit të turistëve maqedonas. ”Është hera e parë që jam këtu në Gjirokastër. Kështjella është mjaft e bukur me muret dhe harqet prej guri. Mendoj të rikthehem sërish për ta vizituar”, pohon një tjetër turist maqedonas.

Reliket e Ali Pashës, tërheqëse për turistët …

Gjetje e këtij sezoni turistik në Kalanë e Gjirokastrës është Parku i topave mesjetarë. I realizuar si një bashkëpunim i Korpusit të Paqes, organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” dhe institucioneve të monumenteve të kulturës. Ky park gërsheton ekspozimin e armëve relike me mjediset e gjelbërta. I vendosur në njërin prej shesheve kryesore të kështjellës, në këtë zonë janë ekspozuar disa topa mesjetarë, të cilët janë përdorur nga Ali Pashë Tepelena gjatë luftimeve të ndryshme.

Parku i topave mesjetarë tashmë është kthyer në një prej pikave më të vizituara nga turistët. Ata e vlerësojnë këtë pjesë të kalasë si një ndër më tërheqëset gjatë vizitës së tyre. “Porsa vizituam kështjellën e Gjirokastrës, është një monument me bukuri të veçantë. Na tërhoqi vëmendjen zona e kalasë, ku ishin ekspozuar disa topa të rrethuar nga mjediset e gjelbërta”, thotë Elga, një turiste nga Polonia. “Është vizita ime e parë në Gjirokastër. Këtu në kala më duket i veçantë ky mjedis i gjelbërt ku janë ekspozuar edhe disa armë të mesjetës”, thotë Mario nga Italia.

Kalaja monumenti më i preferuar nga turistët…

Kështjella e Gjirokastrës ngelet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga turistët vendas dhe të huaj gjatë udhëtimeve të tyre në Jug të vendit. Kjo kala është një monument simbol jo vetëm për Gjirokastrën, por edhe në rang kombëtar. Vlerat e saj ndërtimore dhe të trashëgimisë kulturore po tërheqin kryesisht grupet turistike të huaja. Përgjatë këtij viti kalaja e Gjirokastrës është vizituar nga rreth 25 mijë turistë vendas dhe të huaj. Krahas vlerave historike, kështjella e Argjirosë ka ofruar për vizitorët edhe organizime kulturore dhe artistike. Kalaja, si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë si qytet dhe Kështjellë në vitin 1336.

E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot./konica.al