REPORTAZHI/ Kolumbia e “falimentuar” e Shqipërisë

timthumb (6)Nga Alban Selimi*

Lazarat, Gjirokastër: Një kopsht jo më i gjerë se 20 metra katrorë brenda katër mureve të një shtëpie të vogël në qendër të Lazaratit, ishte mbjellë me disa rrënjë të qepëve, specave dhe lakrave. Pronari i shtëpisë, një burrë rreth të dyzetave, hap me kujdes perden e lokalit të tij, në qendër të fshatit, pikërisht skaj lisit të njohur si “Rrapi”, për të treguar parcelën e mbjellë vonë me këto perime. Dikur aty kishte të mbjellë diçka tjetër, sado që pronarit nuk ia thotë goja. Një gomë e vjetër veture, që dikur përdorej si saksi për mbjelljen e kanabisit, kishte mbetur në qoshe të kopshtit të rrethuar, si relikt i kultivimit të hashashit.

“Rrapi”, një lis ky i vjetër në qendrën e fshatit, ka një simbolikë për banorët, sado që fshati-komunë ka vënë nën “hije” Bashkinë e Gjirokastrës, nën të cilën shtrihet Lazarati.

Dhe, kjo ka ndodhur pikërisht për shkak të aferës së njohur botërisht – prodhimit gjysmëlegal të kanabisit.

Kopshtet e kanabisit mbillen me qepë

Përmes dritares të mbyllur me perde të trasha, burri sykaltër, jep shembullin e tij se “sa shumë kishte hashash në Lazarat”, duke thënë se banorëve pas demokratizimit të vendit në Shqipëri, maksimumi iu ndanë nga 1000 metra katrorë tokë. Dhe kjo, sipas tij, demanton ato që janë paraqitur se këtu ka parcela hashashi.

“Si është e mundur që asnjë shtëpi nuk ka më shumë se 1000 metra katrorë tokë dhe të ketë plantacione kanabisi siç është raportuar”, thotë burri.

Ndonëse pranon të flasë dhe nuk e fsheh faktin se është pronari i kafenesë, ai nuk dëshiron ta thotë emrin.

“Ju duhet emri, apo e vërteta”, thotë ai.

Ngjitas me kopshtin e mbjellë me perime, mbase pas shumë vitesh së mbjelli me kanabis, një grua veshur në të zeza, pjek rakinë për nevojat e familjes. Një tas plastike me vegë ngjyrë të kaltër, mbushur përgjysmë me raki, gruaja e sjell pikërisht në lokalin ku ishin mbledhur vetëm katër burra, ulur në dy tavolina të ndara. Të gjithë do ta provojnë nga një gllënjkë, ashtu nga tasi, pa e hedhur fare rakinë në gota, siç e do “rendi” në një lokal.

Pasi të provojnë rakinë e shtëpisë, ata do t’i japin komplimente gruas për “mrekullinë” që kishte bërë. Gjithë njerëzit në fshat njihen njëri me tjetrin.

“Hashashin e hoqëm ne vetë. Nuk na e hoqi policia. Ata bënë vetëm filma këtu”, thotë gruaja rreth të shtatëdhjetave, para se t’i rikthehet punës së saj – pjekjes së rakisë.

Djali i saj, që bashkë me të shoqen e tij udhëheqin kafenenë në qendër të fshatit, do të heqë bluzën për të treguar barkun, ku shenjat e plumbave që ai kishte marrë gjatë aksionit të policisë në Lazarat ishin ende të dukshme.

“Fëmijën 4 vjeç e çoj te psikologu… E din ti se sa është e rëndë kur fëmija çdo ditë fle në gjumë dhe poshtë shtëpisë i ka policët me maska”, thotë burri shtatmesatar.

Ende pa përfunduar bisedën, bashkëshortja e tij, që punon në banakun e lokalit, ku mund të blesh edhe dy lloje cigaresh – “Marlboro” dhe “Camel”, do të fillojë të qajë.

“Ja, shihe se çfarë ka incizuar djali 4 vjeç gjersa policia bastisën fshatin”, tregon gruaja një audio-incizim nga telefoni i saj, ku dëgjohet një zë fëmije dhe krisma pushke, që me lehtësi definohen si të kalibrit të rëndë.

E tëra, sipas këtyre banorëve, ishte vetëm një “ndërhyrje politike” dhe asgjë më shumë.

“Shteti e dinte që këtu kultivohej hashashi. Pse nuk ndërhynë më herët. Erdhi kjo qeveri dhendërhyri politikisht. Nuk është e vërtetë as ai montazhi mediatik që paraqitën për rezistencë. Fshati vetëm se e kishte asgjësuar hashashin kur erdhën policia”, thotë gruaja, tek fshin lotët që e tradhtojnë.

Në kafenenë, ku gruaja shërben, gjatë ditës qarkullojnë jo shumë njerëz. Shumë nga ata që rrinë aty, madje as nuk marrin diçka për të pirë. Thjesht, dëgjojnë dhe qasen në biseda, qoftë edhe me të panjohurit e rrallë që futen në dy lokalet e vetme që gjenden në qendrën e Lazaratit. Të huajt, aty identifikohen me lehtësi.

Ka vite që banorët edhe martesat kryesisht i kanë bërë brenda fshatit, që numëron rreth 7000 banorë.
“Të gjithë njihemi këtu. Kemi qenë gjithmonë një fshat i qetë, të afërt me njëri tjetrin, të dashur dhe kishim edhe lidhje familjare. Por ja që erdhën policia dhe na traumatizuan, na e prishën jetën”, thotë një burrë 61 vjeç djemtë e të cilit kishin ikur në Amerikë. Ai insiston se në Lazarat ka funksionuar gjithçka mirë, edhe kur mbillej hashashi. “Tashmë njerëzit çfarë do të bëjnë. Do të dalin të plaçkitin”, thotë ky burrë.

Netët e ftohta të policisë

Përballë objektit të komunës së Lazaratit, që shtrihet në Bashkinë e Gjirokastrës, qëndrojnë vazhdimisht dy furgonë policie. Janë Forcat Speciale të Policisë Shqiptare të ashtuquajtura RENEA, ato që qëndrojnë 24 orë në fshatin që nuk ka më shumë se 5 kilometra në dalje të Gjirokastrës, në drejtim të kufirit me Greqinë.

Një polic, do të tregohet i afërt me ekipin e gazetës “Zëri”. Madje, do të tregojë se netët janë tejet të ftohta në Lazarat, në krahasim me ditët, kur temperaturat në fshat gjatë vjeshtës arrijnë shpesh deri në 28 gradë.

“Natën bëhet tejet ftohtë”, tregon polici, që e pranon se nuk janë mjaft të pëlqyer në fshat.

Në katin e dytë, sipër objektit të komunës së Lazaratit, me shkallë të nxjerra nga jashtë, banorët mund të ngjiten në një kafene tjetër.

Dy policë të njësisë RENEA ishin aty brenda, momentin kur ekipi i gazetës u fut në atë lokal. Njëri nga ta reagoi mjaft ashpër, kur fshati u vu në objektiv të fotoaparatit. “Pse fotografoni policinë. Do t’ju shoqëroj në komisariat”, ishte reagimi i policit të RENEA-s, që fshihte numrin identifikues, e që ato momente kërkoi t’i shohë fotografitë.

Më pas, do të marrë një urdhër përmestelefonit që ekipin ta lërë të lirë, me kusht që asnjë fotografi e policëve të mos bëhej.

Pronarët e kësaj kafeneje ishin treguar më të butë me policët, derisa në kafene te lisi i “Rrapit” policët hezitonin të futeshin.

Megjithatë, pronari i këtij kafe-bari, tha se i vjen keq për policët, që shteti i ka sjellë në Lazarat, e “nuk kanë as ku të urinojnë”.

“Ja pyesni ata nëse kanë një vend ku mund të urinojnë?!”, ironizon burri.

Myslimanët që “ngopën” Evropën me hashash

Ora shënonte 16. Në fshat do të dëgjohej ezani nga xhamia sipër. Një rrugë e ngushtë, e pakalueshme me veturë, çon në pjesën ku banorët kanë objektet e kultit.

Të gjithë janë myslimanë. Por, pjesa dërmuese i takojnë sektit bektashian, derisa nga synitë, ka shumë pak në fshat.

Gentian Pollo është një imam i xhamisë së Lazaratit. Ai thotë të ketë mbajtur ligjërata, për atë që kultivimi i kanabisit është “haram”.

“Por, këtu janë të paktë ata që janë syni e që kanë frikën e Allahut ta bëjnë këtë”, ka thënë hoxha mjekërgjatë.

Ai pas faljes së namazit, i ishte bashkëngjitur me disa mjeshtër ndërtimit të një aneksi në oborrin e xhamisë, që siç tha, do të shfrytëzohej si kopsht për fëmijë.

Në dalje të xhamisë, disa xhematlinj, me mjekra të mbajtura me kujdes, do të rrëfejnë se Lazarati vërtetë ishte qendër e kanabisit, e jo siç thonë banorët, se kishte vetëm pak rrënjë të mbjella.

“Këtu kishte më shumë se në çdo vend tjetër në Shqipëri. Por, jo të gjithë jetuan nga hashashi”, thotë njëri nga djemtë që ngiste një veturë “Mercedes” ngjyrë të zezë, e që assesi nuk pranonte të prezantohej.

Imami i fshatit do të lejojë gazetarët të bëjnë fotografi nga pjesa e xhamisë, nga ku shihej një pjesë e madhe e fshatit.

Por, disa punonjës aty, banorë të fshatit, do të kenë frikë. “Pse lejoni të bëhet fotografi nga xhamia. Ne edhe ashtu kemi problem me banorët”, do të reagojë një tjetër person që muroste në aneksin e xhamisë.

Në tyrben e Baba Zenelit, që gjendet jo më shumë se 50 metra nga xhamia në Lazarat nuk është shfaqur njeri.

Poshtë saj, një rrugicë e ngushtë, sërish sjell në qendër të fshatit. Shtëpitë kishin ngritur mure të larta, e mbi to, kishin vënë rrjeta që do të zvogëlonin dukshmërinë brenda oborreve.

Mureve të trashë prej guri në rrugicën që nga tyrbja e “Baba Zenelit” çonte në qendër të fshatit, ende kishin mbetur gypat e ujit që ishin përdorur për ujitjen e kanabisit.

Ndërkohë, ishin gomat e vjetra të veturave, të vendosura njëra mbi tjetrën, ato që ishin përdorur si saksi kanabisi, sikurse edhe kazanët e krijuar nga prerja e vozave, që duken ende mureve të Lazaratit, të mbjella me kultura tjera, apo të lëna bosh.

Në rrugët e ngushta, vetura të tipit “Mercedes”, “BMW” dhe lloje të tjera të automjeteve të mëdha e të prodhuara kryesisht vitet e fundit, dukeshin më shumë se çdokund tjetër në fshatin, që nga përshtypja e jashtme dukej mjaft i varfër. Evident ishte fakti se shumë banorë nuk kishin investuar në Lazarat, përveç investimeve në plantacionet e tyre, qofshin ato të vogla brenda oborreve, apo në tokat e përshtatshme të fshatit ku mbillej hashashi.

Ndryshe, pas ndërhyrjes së policisë, në fshat ishin arrestuar rreth 60 persona. Kurse në kërkim janë edhe 300 të tjerë, si kultivues të hashashit. Fshatarët që kanë mbetur jashtë grilave kryesisht qëndrojnë pa bërë gjë. Hashashi thonë se nuk është më zgjidhje. Kërkojnë që t’iu bëhet një zgjidhje, qoftë duke ua gjetur ndonjë punë.

*Zëri

Libohova Online