Restaurohet “Shtëpia e Kongresit” në Përmet, Kumbaro prezanton projektin (FOTO)
Godina e “Kongresit të Përmetit”, mbajtur në 24 maj të vitit 1944, në qytetin që u çlirua i pari nga pushtimi nazist, do t’i nënshtrohet së shpejti restaurimit.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në një takim të mbajtur në mjedistet e kësaj godine, e cila sot ndodhet në një gjendje të degraduar, prezantoi projektin për restaurimin e saj me praninë e veteranëve dhe qytetarëve të Përmetit.
Gjatë takimit me ministren Kumbaro, pjesëmarrësit në takim, u njohën me planin restaurues, ku dhe ndanë opinionet e tyre për të ruajtur sa më shumë nga ajo çfarë ka mbetur origjinale nga degradimi i madh përgjatë viteve që ka pësuar kjo ndërtesë.
Objekti ku u zhvillua Kongresi i Përmetit ndodhet në qendër të qytetit të Përmetit. Për vlerat e mëdha historiko – kulturore që ai mbart ai është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së I-rë. Zgjedhja e Përmetit si vend për tu mbajtur ky kongres, nuk ishte rastësore, sepse ky ishte jo vetëm qyteti i parë i çliruar nga pushtimi nazist, por edhe për vlerat që Përmeti përfaqëson..
Në këtë kongres ku morën pjesë 200 delegatë nga e gjithë Shqipëria, ndër vendimet kryesore të marra ishte dhe “ndërtimi i Shqipërisë së re dhe demokratike sipas vullnetit të popullit “.
Restaurimi i kësaj godine me vlera historike për qytetin e luleve por jo vetëm, është tashmë një tjetër premtim i mbajtur!