Restaurohet shtëpia e Musine Kokalarit në Gjirokastër (VIDEO)

Shtëpia e disidentes Musine Kokalari, edhe pse nuk është e përfshirë në listën e monumenteve të kultures, mbetet ndër më të vizituarat në qytetin e Gjirokastrës.

Në nëntor 2014, kjo shtëpi plot histori u dogj nga një zjarr aksidental, ndërsa me 10 shkurt të këtij viti, ditën kur u përkujtua 100 vjetori i rilindases së fundit, ministrja Kumbaro, bëri të ditur nismën për fillimin e restaurimit të saj: E ndërsa nuk shohim asgjë konkrete nga kjo deklaratë, shtëpia e Musine Kokalarit ka tërhequr dhe vëmendjen e një grupi arkitektësh gjermanë. Severin Qurk, i cili ka përfunduar studimet për arkitekturë në Universitetin e Vjenës është njëri prej tyre. Ai këto ditë ndodhet në Gjirokastër për të hartuar një projekt restaurimi, të cilin do ia paraqesë po këtij universiteti.

“Përpara një viti unë erdha në Gjirokastër dhe më tërhoqi vëmendjen jeta dhe veprimtaria e Musine Kokalarit kësaj gruaje të jashtzakonshme.Pata mundësinë të njihem me të afërmit e saj të cilët më rrëfyen me detaje për këtë figurë.Pasi u ktheva në Gjermani sëbashku me një grup arkitektësh diskutuam mundësinë e hartimit të një projekti restaurues për banesën e djegur. Ktë pranverë u riktheva përsëri në Gjirokastër më dëshirën për të hartuar dhe përfunduar projektin e restaurimit të shtëpisë.

Mendoj se është diçka e veçantë jo vetëm për faktin se ishte shtëpija e Musine Kokalarit po edhe për vlerat e veçanta që mbarte kjo shtëpi para se të digjej” tha arkitekti gjerman Severin Qurk. Gjatë 2017-es janë planifikuar një sërë aktivitetesh në nderim të themelueses së social-demokracisë shqiptare, e persekutuar nga regjimi komunist për 4 dekada. Gjatë Konferencës Shkencore, “Musine Kokalari, Vetëdija e shkrimit dhe qëndresës”, mbajtur me 10 shkurt, kryeministri Edi Rama tha se hapja e dosjeve të komunizmit do filloje pikërisht me dosjen e Kokalarit. Ndërsa kush do jetë restauruesi i banesës së saj mbetet për t’u parë.