Rikthehet “Tradita Libohovite”, festojmë së bashku më 13 gusht
Festa e përvitshme “Tradita Libohovite” rikthet edhe këtë vit si zakonisht në muajin gusht. Libohova Online mëson se Bashkia Libohovë ka vendosur datën 13 gusht, ora 19:00 për organizimin e saj. Si gjithnjë vendi ku do të mbahen festimet është sheshi përballë sarajeve të Myfit bej Libohovës.
Vitin e shkuar kjo festë nuk u organizua për shkak se dy ditë para datës së caktuar humbi jetën tragjikisht Genci Dervishi, teksa po punonte për prerjen e rrepeve të thatë në sheshin ku do të mbaheshin festimet. Gati një vit pas kësaj ngjarje Bashkia Libohovë do të ndërhyjë sërish për të prerë edhe rrapin e fundit që ka mbetur ende në shesh, për të eleminuar çdo lloj rreziku të mundshëm.
“Tradita Libohovite” është një ngjarje e rëndësishme për qytetin dhe gjithë zonën përreth. Për të paktën një natë, kjo festë mbledh në Libohovë shumë njerëz; libohovitë që jetojnë në emigracion apo vende të tjera të Shqipërisë, si dhe banorë të zonave përreth.
Prej mbrëmjes e deri në agim, sheshi në qendër të Libohovës, shndërrohet në një skenë ku interpretohen vallet popullore dhe qytetarët shijojnë ushqime të ndryshme të ofruara prej restoranteve të zonës.
Këtë vit mësohet se muzika është lënë në dorë të orkestrës së mjeshtrit të shquar të klarinetës në Libohovë, Xhorxhi Rafti.
Libohova Online ju fton të vini në Libohovë mbrëmjen e datës 13 gusht dhe të argëtoheni në këtë festë tradicionale.
|Libohova Online|