Roland Bejko “kapet” sërish me portalet. Pasi sulmoi Libohova Online i “përvishet” Shqiptarja.com

Tre ditë pasi sulmoi portalet LibohovaOnline.com dhe ArgjriroLajm.net kreu i PD Gjirokastër dhe së fundi kandidat për deputet kërcënon me gjyq gazetën Shqiptarja.com

Sipas tij kjo gazetë ka publikuar një shkrim në të cilin thuhet se Roland Bejko ka qenë një prej organizatorëve të trafikut të drogës në Lazarat për 20 vjet. Ky është një informacion i pavërtetë shkruan Bejko në një reagim në faqen e tij në Facebook teksa radhit edhe arritjet e tij profesionale.

“Ndjej veç neveri për gjendjen në të cilën është katandisur e ashtuquajtura “media e lirë dhe e pavarur” shqiptare me shpifjet absurde që bën. Mendoja se edhe paturpësia e ka një limit, por në rastin e gazetës së Carlo Bolinos “Shqiptarja.com” ajo kalon çdo kufi ku një mendje normale njerëzore, do të ndalej. Tani cili jam unë CARO CARLO, funksionari i mirëkualifikuar i shtetit shqiptar me një edukim perëndimor të shkëlqyer, apo trafikanti i drogës?!Meqë kjo pyetje meriton një përgjigje, unë mendoj se mbetet ta zgjidhë gjykata, para apo pas Vetingut, pak rënfësi ka. Mirë u pafshim në gjyq Caro Carlo. Fushata ka kosto financiare, dhe të falenderoj që mu gjende pranë në këtë ditë të vështirë financiare”, shkruan ndër të tjera kandidati për deputet i PD-së në Gjirokastër.

Ndoshta edhe Carlo Bolino, botuesi i Shqiptarja.com do t’i shpëtojë gjyqit të Bejkos, pasi shkrimi në fjalë që ka qarkulluar prej orëve të para të ditës është publikuar prej portalit Lexo.al

Gjithë mediat e tjera e kanë marrë me citim. Sa për saktësim, ne të Libohova Online nuk e kemi publikuar si shkrim pasi dukej që ishte një “fake news” i pastër, ashtu siç thonë shpesh me snobizëm ata që po punojnë për “republikën e re”, përfshi këtu edhe Roland Bejkon. Ndonëse ky i fundit përmes portalit të tij JuguNews.net është “kampion” për “fake news” apo për propagandë gebelsiane. Sidoqoftë në republikën e vjetër ku po jetojmë dhe në atë të renë që po vjen, ka vend për të gjithë. Nuk duhet të shqetësohemi!

/Libohova Online/

Image may contain: text

No automatic alt text available.